Ekonomia e Gjilanit ka humbur 788 vende të punës në kohë pandemie
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka paraqitur para Kuvendit Komunal raportin e punës për periudhën janar-qershor të këtij viti, ku fillimisht ka nënvizuar faktin se ky gjysmëvit karakterizohet në përgjithësi nga pandemia Covid-19, ku sfidë kryesore ka qenë ruajtja e shëndetit publik dhe të ekonomisë.
“Fatkeqësisht, ekonomia e Gjilanit ka humbur 788 vende të punës në kohë pandemie, prandaj aktivizimi i pakos financiare është urgjente”, ka thënë Haziri.
Sipas hulumtimit të zhvilluar nga komuna dhe AZHR Lindje, Gjilani ka një rënie prej 23 për qind të numrit të gjithëmbarshëm të punëtorëve tek kompanitë e anketuara, kryesisht bizneset e mëdha dhe të mesme.
E njëjta situatë është deklaruar edhe nga bizneset e vogla. 46 për qind e bizneseve kanë deklaruar rënie të nivelit të shitjes prej 90-100 për qind dhe vetëm 1 për qind e bizneseve të anketuara kanë deklaruar se niveli i shitjes ka qenë i njëjtë.
Sipas hulumtimit, del se pandemia rrezikon më së shumti bizneset e vogla.
Vetëm 8 për qind e bizneseve mendojnë se mund të përballojnë situatën e pandemisë. 84 për qind e bizneseve kanë deklaruar se nuk mund ta përballojnë situatën me pandemi dhe periudha maksimale që biznesi mund të operojë me rezultat pozitiv ose pa humbje është tre deri në gjashtë muaj, ndërsa 16 për qind mund të operojnë prej 3 deri 12 muaj.
Shpresëdhënëse është fakti se vetëm 50 për qind e bizneseve nuk do të pushojnë punëtorët nga puna.