Ekonomia e Italisë bie në recesion
Ekonomia e Italisë ka rënë në recesion në fund të vitit të kaluar, kanë bërë me dije të dhënat e agjencisë shtetërore të statistikave, Istat.
Në tre muajt e fundit të vitit 2018, ekonomia është tkurrur për 0.2 për qind, pas një rënie prej 0.1 për qind në tremujorin e tretë, ka njoftuar Istat.
Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka paralajmëruar se tkurrja ka gjasa të vazhdojë edhe në vitin 2019.
Shifrat e Bashkimit Evropian, ndërkaq, kanë treguar se rritja ekonomike në Eurozonë është ende e dobët.
Sipas tyre, rritja në zonën 19-anëtarëshe ka mbetur në 0.2 për qind në tremujorin e fundit të 2018-ës, njësoj si edhe në tremujorin paraprak.
Shifrat e agjencisë Eurostat kanë bërë me dije se në Bashkimin Evropian në tërësi, rritja në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ka qenë 0.3 për qind.
Për dallim prej Italisë, disa ekonomi të Eurozonës janë rritur më shumë se sa është pritur: norma e rritjes në Francë ka qenë 0.3 për qind, ndërsa në Spanjë 0.7 për qind. /Rel/