Ekonomia e Kinës vazhdon rimëkëmbjen nga pandemia
Ekonomia e Kinës vazhdon rimëkëmbjen nga pandemia e sëmundjes Covid-19, tregojnë shifrat e Byrosë Kombëtare të Statistikave. Sipas tyre, ekonomia e dytë më e madhe në botë u rrit për 4.9 % midis korrikut dhe shtatorit, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Megjithatë, shifra është më e ulët se 5.2 %, që pritej nga ekonomistët.
Në tre muajt e parë të këtij viti ekonomia e Kinës u tkurr për 6.8 % për shkak të mbylljes së fabrikave si pasojë e pandemisë. Kjo ishte hera e parë që tkurrej qëkur filloi regjistrimi i shifrave tremujore në vitin 1992.
Zëdhënësja e Byrosë Kombëtare të Statistikave, Liu Aihua, paralajmëroi se rritja mbetet ende e ngadalshme.
“Ekonomia është ende në proces të rimëkëmbjes. Disa ose shumica e treguesve nuk janë kthyer në nivelin normal të rritjes”, tha ajo.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka parashikuar rritje të ekonomisë së Kinës për 1.9 % në vitin 2020, shifër kjo e përafërt me parashikimin e Bankës Qendrore të Kinës prej 2 %.