Ekonomia e Kosovës diskriminoi gratë në biznes
Bizneset që udhëhiqen nga gratë në Kosovë, sipas përfaqësueseve të tyre, janë më të ndjeshme ndaj çdo ndryshimi në treg dhe janë prekur më shumë nga pandemia Covid-19.
Linda Shala nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës thotë se ekonomia e cila zhvillohet në Kosovë, me ose pa dashje, i diskriminon gratë. Sipas saj, prej pasluftës shumica e buxhetit të shtetit është investuar në ndërtimtari, në ndërtim rrugësh e konstruksionesh; një sektor ku pjesëmarrja e grave është më e vogël, për shkak të natyrës së punës.
Shala thekson se është koha e fundit që të kemi një strategji të zhvillimit ekonomik të vendit, ku do të planifikohet dhe aspekti gjinor.
Ndërmarrësja Linda Shala, e cila ka folur në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se pandemia i ka dëmtuar gratë në biznes, meqenëse kjo kategori është më e ndjeshme.
“Mendoj që viti 2020 ka qenë një sfidë për të gjithë; për qytetarët e Kosovës; për biznesin; në aspektin shëndetësor; si dhe në aspektin ekonomik. E sigurisht që këtë sfidë e kanë përjetuar në mënyrë të veçantë gratë të cilat janë në biznes. Sepse pandemia dhe kufizimet e masat që janë marrë ia kanë dhënë një rol ekstra grave të Kosovës, të cilat përveç punës dhe angazhimeve të tyre ditore normale, ato kanë edhe një angazhim të veçantë në shtëpi, në familje. Biznesi i grave në Kosovë është i ndjeshëm ndaj çdo ndryshimi në treg dhe sigurisht që pandemia ka ndikuar shumë në biznesin e grave”.
Sipas saj, kushtet dhe rrethanat aktuale janë dekurajuese për gratë.”Mund të them që të gjitha ato gra që e gjejnë veten në ndërmarrësi, sidomos vajzat e reja që e gjejnë forcën për ta zhvilluar një biznes a aktivitet ekonomik, unë i konsideroj si heroina”.
Shala kërkon mbështetje për gratë që duan të merren me biznes. “Në aspektin ekonomik, në të bërit biznes në një ambient si Kosova ku tregu relativisht është i dobët, ku mungojnë mundësitë e kreditimit e financimit, të qasjes në treg, gratë duhet të kenë mbështetje posaçërisht në momentin kur ato janë në tregun e punës. Kjo nënkupton një transport të rregulluar, çerdhe dhe kopshte të mjaftueshme me çmime të volitshme, pagë mesatare të dinjitetshme. Krejt këto ndikojnë në hezitimin e grave për pjesëmarrjen e tyre direkte në tregun e punës dhe për ndërmarrjen e hapave në ndërmarrësi”.
“Gjithashtu, duhet një sistem shëndetësor më i qëndrueshëm që asaj ia jep një siguri për të moshuarit që ka në familje dhe për fëmijët e saj; Një sistem arsimor i cili ia jep një siguri sidomos në trajtimin e fëmijëve parashkollorë; Një sistem mirëfilli i transportit, i cili asaj ia lehtëson pjesëmarrjen në treg, shkuarjen e kthimin nga puna; Dhe një treg pak më të favorshëm, i cili do të mundësonte paga më të mira për punëtorët që të mund të plotësojnë nevojat e veta familjare dhe të japin kontributin e tyre në ekonominë e vendit”.
Nënkryetarja e Dhomës Ekonomike të Grave thekson se është koha që Kosova ta hartojë një strategji të zhvillimit ekonomik të vendit, ku do të afirmoheshin gratë. “Në hartimin e asaj strategjie është shumë e rëndësishme të planifikohet edhe aspekti gjinor që në një mënyrë t’i japim hapësirë për përfshirjen e grave në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij vendi, sepse me politikat tona e përjashtojmë 50 për qind të popullsisë”.
Shala veçon tre faktorë, që sipas hulumtimeve, e mbajnë larg nga biznesi gruan kosovare: 1. Mungesa e kapitalit, 2. Kufizimet e qasjes në treg dhe 3. Përkrahjet e tjera dytësore.
Për këtë ndërmarrëse të suksesshme, ekonomia kosovare diskriminon gratë për faktin që buxheti shkon zakonisht në fusha të cilat nuk janë në natyrën e saj për t’u inkuadruar, si ajo e ndërtimtarisë.
“Ekonomia e cila zhvillohet në Kosovë, me apo pa dashje, i diskriminon gratë. Kjo, për faktin që prej pasluftës e këtej shumica e buxhetit të shtetit është investuar në ndërtimtari, në ndërtim rrugësh e konstruksionesh. Pjesa më e madhe e buxhetit ka shkuar atje. Në atë sektor, falë natyrës të grave është pjesëmarrja shumë më e vogël. Realisht me mënyrën se si e kemi zhvilluar ekonominë e vendit dhe orientimet, janë diskriminuar gratë”.
Për të njohur nga afër me sfidat që kanë pasur gratë që drejtojnë biznese në Kosovë gjatë pandemisë, Ekonomia Online ka biseduar me Rudina Qosjen, pronare e kompanisë “Rudi’s Cake Factory”.
Qosja ka treguar se pandemia e ka dëmtuar biznesin e saj duke e detyruar të lirojë nga puna 4 punonjës nga 9 sa kishte para kësaj periudhe.
“Në biznesin tonë ‘Rudi’s Cake Factory’ për momentin i kemi të punësuara 5 gra. Para pandemisë kemi pasur 9 persona. Pandemia neve na ka dëmtuar ndoshta të themi 50 për qind, meqenëse një kohë të shkurtër është lejuar të punojmë vetëm me pjesën e transportit apo ‘delivery’, mirëpo neve na është dashur që ta reduktojmë stafin pasi që nuk kemi pasur porosi si herëve të kaluara, si kur kemi punuar me orar të plotë”.
Pronarja e këtij biznesi thotë se deri më tani nuk ka përfituar ndonjë ndihmë nga shteti. “Nga Qeveria gjatë periudhës së pandemisë neve si biznes ndihmat nuk na kanë dalë ende, por po shpresoj që tash kah janari të dalin. Kurse me financime të produkteve për shitje online kemi pasur përkrahje nga organizata të huaja”, ka shtuar ajo.
Sipas Qosjes, hyrjen në biznes të një gruaje kosovare e frenon qasja në kredi të bankave që veprojnë në Kosovë.
Sfida më e madhe, sipas saj, është sigurimi i parasë së gatshme për investim në biznes. “Për femrat, qasja nëpër banka për kredi ka qenë më e vështirë, derisa na është lejuar të dëshmojmë se edhe ne jemi të zonjat të bëjmë punë dhe të jemi sipërmarrëse”.
Qosja thekson se gratë i ndalon shumëçka t’i futen biznesit. “Së pari një femër në biznes e ka shumë më të vështirë sesa meshkujt, sepse kanë fëmijë e obligime rreth shtëpisë… Edhe pse tash ka ndryshuar koha dhe po ndahen punët”.
“Ka shumë pengesa për femrën për të arritur deri te biznesi, mirëpo në momentin që ajo e hap biznesin ka shumë suksese, ka vullnet e nuk ndalet, kështu që iu bëjë thirrje femrave që kanë dëshirë të hapin biznes personal që në këtë kohë që jemi mundësitë janë të mëdha. Ministritë kanë filluar t’i përkrahin femrat në biznes më shumë se zakonisht”, shprehet pronarja e “Rudi’s Cake Factory”.
Kujtim Gjevori, pronar i kompanisë “Scampa”, pajtohet se gratë në Kosovë nuk inkurajohen sa duhet për t’u marrë me biznes.
“Unë mendoj që gratë nuk inkurajohen mjaftueshëm për t’u futur në biznes, ka hapësirë ende. Kjo ma merr mendja është si pasojë fillimisht e edukatës tonë familjare që biznesi u lihet gjinisë mashkullore. Kjo, mendoj unë, është e gabueshme, sepse sot biznesi nuk bëhet me punë fizike, por më shumë bëhet me menaxhim ose me punë mendore. Mendoj që gratë kishim me qenë njësoj konkurruese në këtë industri”.
Gjevori ka treguar se në kompaninë e tij ka të punësuar 45 punëtorë. Prej tyre, 15 janë gra – vetëm një në pozitë menaxheriale.
“Duke e pasur parasysh natyrën e punës tonë, që është prodhimi, gjinia mashkullore afrohet më shumë. Ne jemi duke e inkurajuar gjininë femërore dhe e kemi arritur ta rrisim numrin dhe jemi të kënaqur me punën e tyre, sepse janë shumë më të përgjegjshme. Prapë se prapë ekziston një disponim tek ndërmarrjet prodhuese, hezitojnë gjinia femërore të punësohen”, u shpreh Gjevori.
Nga Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës, Shpëtim Kalludra, ka bërë me dije për Ekonomia Online se 91 mijë gra figurojnë si të papuna.
“Numri i grave të papuna të regjistruara në Zyrat e Punësimit, gjegjësisht në shërbimet publike të punësimit, në nivel vendi është 91 mijë persona të regjistruara deri tash në dhjetor; ose thënë ndryshe 40 për qind e të gjithë të papunëve të regjistruar në Zyrat e punësimit”, ka thënë ai.
“Profilet e grave punëkërkuese më së shumti janë të ndërlidhura me kërkesat e tregut të punës dhe numri i vendeve të lira të punës vjen zakonisht nga ato profile të cilat thjesht kërkohen nga biznesi”.
Gratë punëkërkuese, sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit, janë kryesisht të orientuara në sektorin e tregtisë, shërbimeve, gastronomisë dhe të ngjashme./EO