Ekonomia e Kosovës: Shumë premtime, pak përparime

26 janar 2025 | 11:20

Kur ka prezantuar programin e Qeverisë së tij në maj të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë, mes tjerash, se potenciali i madh i prodhimit të ushqimit në Kosovë, duhet të shfrytëzohet jo vetëm për nevoja të brendshme, por edhe për të eksportuar.

Ai ka thënë se do të angazhohet në blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese për eksport, si dhe do t’i ndihmojë bizneset në gjetjen e tregjeve për eksport, shkruan REL.

Në kuadër të mbështetjes për to, ka thënë se Kosova do të themelojë edhe Bankën e saj Zhvillimore.

“Ajo do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, ka thënë Kurti në vitin 2021.

Katër vjet më vonë, kjo bankë nuk është themeluar dhe bilanci tregtar nuk është se ka ndryshuar.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe të Doganës së vendit tregojnë se në vitin 2021 vlera e eksporteve në Kosovë ka qenë 775.7 milionë euro, kurse e importeve 4.6 miliardë euro.

Në vitin 2024, eksportet janë rritur në 990.2 milionë euro, por edhe importet në 6.3 miliardë euro.

Kurti edhe në fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit – në të cilat do të garojë për mandatin e dytë si kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje – bën premtime të ngjashme.

“Do të ofrojmë mbështetje deri në një miliard euro për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrjet prodhuese cep më cep Kosovës. Do ta shtojmë prodhimin, do ta shtojmë investimin, do ta mundësojmë riinvestimin dhe do ta rrisim eksportin”, ka thënë Kurti në një tubim me mbështetësit e tij në Gjakovë.

Me këso premtimesh, mbështetësve u drejtohen edhe kundërkandidatët e tij.

Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se do të ndajë mbi 6 miliardë euro për projekte kapitale dhe zhvillimore.

Për Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bizneset krijojnë vende të reja të punës, eksportojnë dhe ulin deficitin e lartë tregtar. Është “paradoks i kohës”, sipas tij, që ato edhe sot e kësaj dite përballen me mungesë të energjisë elektrike.

“Pas 9 shkurtit, Qeveria e Kosovës, qeveria e djathtë, bizneset i sheh si partner. Do të punojë me to dhe do ta bëjmë Kosovën me to”, ka thënë Abdixhiku gjatë një vizite në një kompani për konstruksione metalike.

Këtë pikëpamje për bizneset, në disa tubime me mbështetës, e ka ndarë edhe Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Duhet të dërgojmë sinjale të qarta se biznesi është partner. Bizneset janë vlerë e shtuar, krijojnë buxhet, krijojnë investime. Duhet t’i fuqizojmë sipërmarrësit tonë, jo vetëm të mëdhenjtë dhe jo vetëm do, por çdo sipërmarrës të Kosovës duhet ta kemi partner”, ka thënë Haradinaj para mbështetësve të tij në Rahovec.

Secila prej këtyre partive, në periudha të ndryshme pas pavarësisë e këndej, ka qenë ose në krye të Qeverisë së Kosovës, ose partnere koalicioni. Subvencione për bizneset ka pasur aty-këtu.

Shkrimi i plotë në linkun poshtë:

https://www.evropaelire.org/a/ekonomia-e-kosoves-shume-premtime-pak-perparim-/33287892.html

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fituesi i edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova,…