Ekonomia e Turqisë bie në recesion
Turqia ka hyrë në recesion në fund të vitit të kaluar, kanë bërë me dije të dhënat zyrtare.
Sipas Institutit të Statistikave të Turqisë, ekonomia është tkurrur për 2.4 për qind në çerekun e katërt të vitit 2018, krahasuar me çerekun paraprak.
Tkurrje për 1.6 për qind ka pasur edhe në tremujorin e tretë.
Rënia në dy çerekë një pas një e definon recesionin.
Një luftë tregtare me Shtetet e Bashkuara ka bërë që monedha turke të bie dhe importet të shtrenjtohen.
Vitin e kaluar, lira turke ka rënë për 30 për qind kundrejt dollarit amerikan.
Dy vendet kanë qëndrime të kundërta për nja varg çështjesh, përfshirë mënyrën se si të luftohet grupi militant Shteti Islamik në Siri dhe planet e Turqisë për të blerë sisteme të mbrojtjes raketore nga Rusia.
Ankaraja po ashtu dëshiron që ShBA-ja ta ekstradojë klerikun fetar, Fethullah Gulen, të cilin e akuzon për përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.
Uashingtoni ka theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme për ekstradimin e Gulenit.