Ekonomia gjatë vitit 2018
Përgatiti: Albulena MAVRAJ
Prishtinë, dhjetor/janar – Përgjatë vitit 2018 në Kosovë ka pasur zhvillime të ndryshme ekonomike dhe secila ngjarja ka pasur rëndësinë e vet në këtë sektor. Vendimi që mund të veçohet prej të gjithë të tjerëve, është ai i Qeverisë së Kosovës, për t’u vënë taksë 100 për qind produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Gjithashtu, përgjatë këtij viti ka pasur edhe emërime, shkarkime dhe dorëheqje në institucionet publike.
Taksë doganore 100 për qind për Serbinë
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 21 nëntor që ta rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, pasi më herët ishte vetëm 10 për qind. Me këtë vendim është ndalur edhe importimi i produkteve që në etiketa dhe deklarata përcjellëse shkruajnë emërtimet “Kosovë dhe Metohi”, “Kosovë 1244”, “Kosovë UNMIK”. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta, sidomos nga Serbia dhe BE-ja, të cilat kanë kërkuar të anulohet ky vendim. Për këtë vendim Haradinaj është takuar në Bruksel me zyrtaren e lartë të BE-së, Federica Mogherini, së cilës ia ka bërë me dije se kjo taksë nuk do të tërhiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia. Pikërisht për këtë vendim, Kosova ishte vizituar edhe nga komisionari për zgjerim, Johanes Hahn. Si rrjedhojë e kësaj takse këmbimi mujor i mallrave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me vlerë rreth 40 milionë euro tash pothuajse ka rënë në 0 milion euro.
Rrjedha e parave publike në Qeverinë Haradinaj
Më 9 shtator Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj mbushi një vit të qeverisjes. Viti i parë i qeverisjes Haradinaj u cilësua si “dorëlirë” me arkën e shtetit, në disa raste me vullnetin e tij, e në disa të tjera i imponuar nga koalicioni parazgjedhor. Përveç pagesave për pushime për veteranët, të cilëve iu ndanë 300 mijë euro, në vendimin e mbledhjes së Qeverisë të datës 29 maj u vendos të paguhen miliona euro gjobë për gabimet e Qeverisë. Qeveria e Kosovës më 5 qershor kishte miratuar kërkesën e konsorciumit “Bechtel & Enka” për të ndarë 53.1 milionë euro me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për vonesa të pagesave si dhe zgjatjen e punëve për 14 muaj në autostradën Prishtinë – Hani i Elezit. Në vitin që lamë pas, po ashtu Qeveria Haradinaj ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 290 mijë eurosh për mbulimin e shpenzimeve për familjet e të dënuarve në rastin “Kumanova”. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se secila familje do t’i marrë nga 10 mijë euro. Ndërkaq më 5 mars 2018 Qeveria e Kosovës ka ndarë një milion euro për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), për ta mbuluar faturimin e energjisë elektrike, të shpenzuar në katër komunat veriore të Kosovës.
Përpjekja e kryeministrit për rritje pagash dhe shfuqizimi i vendimit
Menjëherë pas tre muaj qeverisje, më 20 dhjetor 2017 Haradinaj pati marrë vendim që t’i rrisë pagën vetes, vartësve dhe pjesës tjetër të kabinetit qeveritar. Vendimi i Harainajt edhe gjatë vitit 2018 ishte kundërshtuar nga opozita, veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje!, e cila e kishte dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim ligjor. Pas shqyrtimit të ankesës, Kushtetuesja kishte marrë vendim që ngritja e pagave s’është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ndërkaq, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e ka cilësuar konflikt interesi vendimin e Qeverisë për rritje të pagës së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe vartësve të tij. E pas një sërë akuzash dhe polemikash, Haradinaj shfuqizon vendimin për pezullim e rritjes së pagave.
Emërimet, shkarkimet dhe dorëheqjet në institucionet publike
Më 11 korrik Berat Rukiqi është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ndërsa sekretar i përgjithshëm i kësaj ode është zgjedhur Parim Bajrami. Strukturat drejtuese të OEK-ut janë zgjedhur për mandat katërvjeçar. Qeveria e Kosovës në muajin mars të 2018-s ka zgjedhur gjashtë anëtarët e bordit të Telekomit: Besa Shatri, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Kransiqi, Suzana Andjelkovic. Ndërkaq, më 4 prill Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin e Komisionit Rekomandues për emërimin e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”: Ardian Syla, Esat Peci, Feriz Fetahu, Naser Pec, Shyqiri Sadiku, Xhafer Nura.
Më 5 shtator Bajram Hasani është shkarkuar nga pozita e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, ndërkaq në vendin e tij ka ardhur Endrit Shala.
Shkarkime dhe dorëheqje pati edhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ekrem Hajdari u shkarkua nga posti i drejtorit të kësaj agjencie me shumicë të votave të Bordit të AKP-së. Pas shkarkimit të Hajdarit, e menjëhershme ishte dorëheqje e kryetarit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, i cili ofroi dorëheqje me arsyetimin se ishte i pabazë shkarkimi i Hajdarit.
Më 31 tetor të 2018-s ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të PTK-së, Gent Begolli. Ai e ushtroi detyrën e të parit në PTK për katër muaj.
Kosova do të përfitojë edhe dhjetëra miliona dollarë nëpërmjet MCC-së
Më 11 dhjetor Bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC, që kryesohet nga sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka avancuar statusin e Kosovës në programet e saj. Me këtë vendi ynë do të përfitojë dhjetëra miliona dollarë që do të investohen në fusha të ndryshme.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit – MCC është një agjenci federale amerikane e ngjashme me USAID-in. Pra, është pjesë e qeverisë amerikane që ndihmon shtetet me fonde zhvillimore. Kosova ka një histori me MCC-në që më herët pasi kjo agjenci tashmë ka ndarë 49 milionë dollarë për Kosovën dhe këto mjete që nga viti i ardhshëm do të investohen në mbarë Kosovën.
Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, entitetit të përgjegjshëm implementues të programit të MCC-së në Kosovë, Petrit Selimi, ka thënë se vendimi i ri amerikan nënkupton se Kosova ka të drejtë të përfitojë edhe disa dhjetëra milionë dollarë për projekte që ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Nga janari i vitit të ardhshëm MCC-ja do ta dërgojë një ekip ekspertësh, ndërsa edhe Kosova duhet të sigurojë që do të angazhohet të rekrutojë ekspertë të duhur si dhe të gjejë projekte kualitative që mund të konsiderohen nga MCC-ja.
FMN-ja parashikon rritje ekonomike në Kosovë prej 4.2 përqindësh
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka paraparë rritje ekonomike për Kosovën gjatë vitit 2019 prej 4.2 përqindësh. Sipas FMN-së, kjo rritje mund të jetë më e madhe nëse ka përparim në reformat, veçanërisht në tregun e punës dhe fushat e qeverisjes. Porse, sipas FMN-së, ka rrezik që presioni i shpenzimeve dhe mungesa e të ardhurave nga taksat mund ta rrisin deficitin fiskal. FMN-ja ka sugjeruar ligjvënësit në Kosovë të jenë të kujdesshëm për prezantimin e skemave të reja sociale. “Për ta mbajtur nën kontroll presionin nga përfitimet sociale, është e nevojshme të ketë reforma sa iu përket veteranëve të luftës dhe të mos prezantohen skema të reja sociale, të tilla si për mësuesit, policinë apo edhe skema të tjera, përderisa çdo rritje pensionesh duhet të kufizohet vetëm në pensionin bazë”, është thënë në raportin e FMN-së.
Dështimet që prolonguan zhvillimin ekonomik
Institucionet e vendit e prolonguan miratimin e Ligjit për institucionet mikrofinanciare duke ua vazhduar kështu luksin këtyre institucioneve të cilat veprojnë në kundërshtim me misionin e tyre dhe të cilat u japin qytetarëve kredi me kamata deri në 30 për qind, ndërkaq nga ana tjetër këto institucione duke mos i paguar shtetit tatim. Sipas guvernatorit të BQK-së, Fehmi Mehmeti, gjithsej asetet e këtij sektori në muajin shtator 2018 ishin në shumën prej 236.2 milionë eurosh, me një rritje vjetore prej 28.6 përqindësh. Gjithashtu, vlera e kredive të këtij sektori prej 173.7 milionë eurosh ka shënuar rritje vjetore prej 28.6 përqindësh. Po ashtu, ligjvënësit në Kosovë kanë dështuar që ta aprovojnë edhe Ligjin për nivelizim pagash, duke vazhduar kështu diskriminimin në paga brenda sektorëve të caktuar dhe, njëherësh favore për persona të caktuar sa iu përket koeficientëve në pagë. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës u treguan të pavullnetshëm edhe sa i përket hapjes së rrugës për zhvillim të gjigantit ekonomik “Trepça”, pasi pas më shumë së dy vjetësh që kur u miratua Ligji për “Trepçën”, nuk arritën ta harmonizonin draft-statutin e kësaj ndërmarrje.
Papunësia në Kosovë mbetet në nivel të lartë
Papunësia në Kosovë vazhdon të mbetet në nivel tejet të lartë. Autoritetet në Kosovë thonë se gjatë vitit 2018 kanë orientuar politikat ekonomike zhvillimore drejt uljes së papunësisë. Megjithatë, të dhënat për papunësinë të publikuara të hënën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës bëjnë me dije se shkalla e papunësisë në Kosovë në tremujorin e tretë të vitit 2018 ishte 30.7 për qind. Ndërkaq zyrtarë të Bashkimit të Sindikatës së Pavarur të Kosovë kanë thënë se qytetarët e Kosovës nuk e shohin si mundësi të mirë punësimin në Kosovë për shkak të kushteve të punës të cilat ofrohen në vend.
Marrëveshjet Kosovë – Shqipëri, me shumë barriera
Kosova dhe Shqipëria në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive ndër vite kanë nënshkruar marrëveshje të cilat kishin për qëllim qeverisje të përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik. Këto dy shtete kanë të nënshkruar një protokoll bashkëpunimi ndërqeveritar, i cili përfaqëson kornizën e plotë institucionale të marrëdhënieve ndërmjet këtyre shteteve në të gjitha fushat, duke filluar nga ekonomia e deri tek arsimi. Përveç këtij protokolli bashkëpunimi, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje në fusha të veçanta. Megjithatë, marrëveshjet e nënshkruara në fusha të ndryshme, në veçanti në aspektin ekonomik nga përfaqësues të bizneseve dhe njohës të fushës, janë vlerësuar se nuk po arrijnë të zbatohen.
Kuvendi miraton në lexim të parë projektligjin për buxhetin e 2019-s
Më 21 dhjetor, me 62 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të premten në parim projektligjin rreth buxhetit për vitin 2019. Kuvendi i Kosovës ka debatuar para disa ditësh, për dy ditë rresht, rreth buxhetit të propozuar nga Qeveria e Kosovës. Megjithatë, debati pati përfunduar pa votimin e projektligjit, pasi Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje. Buxheti për vitin 2019 është paraparë ta arrijë shifrën e 2.3 miliardë eurove. Ky projektbuxhet nuk është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo ka fituar përkrahjen e subjektit tjetër opozitar, Partisë Socialdemokrate.
Milionat e diasporës shkojnë në konsum
Burim i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare në Kosovë vazhdojnë të jenë edhe dërgesat e emigrantëve. Në vit vlera e parave të dërguara nga diaspora, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, arrin shumën e rreth 600 milionë euro. Këto mjete vazhdojnë të shfrytëzohen kryesisht për konsum familjar. Mërgimtarët të cilët pushimet i kalojnë në Kosovë, thonë se shpenzojnë vlera të konsiderueshme të mjeteve materiale kur janë në Kosovë, por ata thonë se gjatë tërë vitit dërgojnë para te familjarët e tyre.
Kosova humbi gazetarin Ibrahim Rexhepi
Më 8 tetor ka ndërruar jetë gazetari Ibrahim Rexhepi pas një sëmundje e cila i është identifikuar në ditët e fundit të jetës së tij. Rexhepi ka qenë ndër gazetarët më të mirë të rubrikës së ekonomisë. Ai shquhej edhe për analizat në fushën e ekonomisë. Rexhepi ka ushtruar edhe funksionin e këshilltarit të lartë politik në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, ku ministër është Valdrin Lluka.