Ekonomia gjermane, para një vjeshte të vështirë
Ekonomia gjermane bazohet tek eksportet dhe Gjermania kryeson në vendet eksportuese. Prandaj njoftimet se pas rënies së porosive dhe të prodhimit në muajin gusht, ranë – për herë të parë pas 15 muajsh rritjeje të pandërprerë – edhe eksportet janë shqetësuese.
Eksportet në muajin gusht ishin 1.2 përqind më të ulëta se një muaj më parë, njoftoi Zyra Federale e Statistikave. Kjo është befasi, sepse ekonomistët prisnin një rritje të mëtejshme prej 0.5 përqind.
“Ekonomia gjermane duhet të përgatitet për një vjeshtë të vështirë,” tha drejtori i përgjithshëm i Federatës së Industrive Gjermane (BDI), Joachim Lang. “Problemet në zinxhirët e furnizimit global, kostot e larta logjistike dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura tregtare po shkaktojnë vështirësi ekonomike.”
Mungesa e lëndëve të para ngadalëson eksportin e mallrave. Kësaj i shtohet edhe mbingarkesa në porte dhe mungesa e kapaciteteve për kontejnerë. Nga ana tjetër importet u rritën në muajin gusht me 3.5 përqind, pothuajse dy herë më shpejt nga sa supozohej, duke u rimëkëmbur kështu prej rënies muajin e kaluar.
Por herët a vonë gjërat do të fillojnë të përmirësohen përsëri, mendojnë analistët. “Ekonomia globale do të vazhdojë kursin e rimëkëmbjejes dhe industria gjermane e eksportit do të përfitojë nga kjo,” tha shefi i bankës VP-Bank, Thomas Gitzel, duke shpjeguar optimizmin e tij. Sipas tij edhe pengesat në furnizimet me lëndë të para do të zgjidhen në një moment. “Nëse supozojmë se gjatë vitit të ardhshëm do të jenë përsëri në dispozicion mjaft lëndë të para dhe prodhime paraprake, industria gjermane e eksporteve pritet të arrijë përsëri kulmin e saj,” tha Gitzel.
Biznesi me BE dhe SHBA lulëzon
Biznesi me vendet e BE-së u rrit me 15.7 përqind duke arritur 55.7 miliardë euro. Eksportet drejt blerësit më të rëndësishëm të eksporteve gjermane, SHBA, u rritën me 22.4 për qind në 9.4 miliardë euro, ndërsa eksportet për në Kinë u rritën vetëm 4.4 për qind duke arritur në 7.6 miliardë euro.
Shefi i tregtisë së jashtme të DIHK Volker Treier tha se në Kinë sundon një klimë dukshëm e zymtë ekonomike për shkak të frikës nga kolapsi i kompanisë së pasurive të paluajtshme Evergrande, që ka borxhe prej më shumë se 300 miliardë dollarë. /dw/