Ekonomia globale parashikohet të rritet për 1.7 për qind në vitin 2023
Rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, interesave të larta, rënies së investimeve dhe çrregullimeve që ka shkaktuar pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore Perspektivat Ekonomike Globale.
Për shkak të kushteve ekonomike të brishta, çdo zhvillim i ri i pafavorshëm siç është inflacioni më i lartë se sa që është pritur, ngritjet e papritura të interesave për ta frenuar atë, rishfaqja e pandemisë Covid-19 ose përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike mund ta shtyjë ekonominë globale në recesion. Kjo do ta shënonte herën e parë qe më shumë se 80 vjet që dy recesione globale ndodhin brenda të njëjtës dekadë.
Ekonomia globale parashikohet të rritet për 1.7 për qind në vitin 2023 dhe 2.7 për qind në vitin 2024.
Rënia e shpejtë e rritjes pritet të jetë e përhapur, ndërsa parashikimet për vitin 2023 ulen për 95 për qind të ekonomive të avancuara dhe gati 70 për qind të tregjeve me zhvillim mesatar dhe ekonomive në zhvillim.
Gjatë dy viteve të ardhshme, rritja e të ardhurave për kokë banori në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim parashikohet të jetë mesatarisht 2.8 për qind, një pikë përqindjeje e plotë më e ulët se mesatarja e viteve 2010-2019.
Në Afrikën Subsahariane, e cila përbën rreth 60 për qind të të varfërve të skajshëm në botë – rritja e të ardhurave për kokë banori gjatë viteve 2023-2024 pritet të jetë mesatarisht vetëm 1.2 për qind, normë kjo që mund të shkaktojë rritje e jo ulje të shkallëve të varfërisë.
“Kriza me të cilën përballet zhvillimi po intensifikohet, ndërsa perspektiva e rritjes globale po përkeqësohet”, ka theksuar presidenti i Grupit të Bankës Botërore, David Malpass.
Ai ka theksuar se vendet me zhvillim mesatar dhe ato në zhvillim po përballen me një periudhë shumëvjeçare të rritjes së ngadaltë, të shkaktuar nga ngarkesat e rënda të borxhit dhe investimet e dobëta, përderisa kapitali global po absorbohet nga ekonomitë e avancuara, të cilat po përballen me nivele jashtëzakonisht të larta të borxhit qeveritar dhe me norma te interesit në rritje.
Malpass ka pohuar se zhvillimi i dobët dhe investimet e dobëta në biznes do t’i shtojnë ndryshimet tashmë shkatërruese në arsim, shëndetësi, varfëri dhe infrastrukturë dhe kërkesat në rritje për shkak të ndryshimeve klimatike.
Rritja në ekonomitë e avancuara parashikohet të ngadalësohet për 2.5 për qind në vitin 2022 dhe 0.5 për qind në vitin 2023.
Gjatë dy dekadave të fundit, ngadalësimet e kësaj shkalle kanë paralajmëruar recesion global. Në Shtetet e Bashkuara, rritja parashikohet të bjerë në 0.5 për qind në vitin 2023 – 1.9 për qind nën parashikimet e mëparshme dhe performanca më e dobët jashtë recesioneve zyrtare që nga viti 1970.
Në vitin 2023, rritja në eurozonë pritet të jetë zero për qind – një ndryshim ky rënës prej 1.9 për qind. Në Kinë, rritja parashikohet të jetë 4.3 për qind në vitin 2023 – 0.9 për qind nën parashikimet e mëparshme.
Duke e përjashtuar Kinën, rritja në tregjet në zhvillim dhe ekonomitë në zhvillim pritet të ngadalësohet nga 3.8 për qind në vitin 2022 në 2.7 për qind në vitin 2023, duke e pasqyruar një kërkesë të jashtme dukshëm më të dobët, të shoqëruar me inflacion të lartë, zhvlerësim të valutës, kushte më të shtrënguara për financim dhe pengesa të tjera të brendshme.
Deri në fund të vitit 2024, nivelet e BPV-së në ekonomitë me zhvillim mesatar dhe ato në zhvillim do të jenë afërsisht 6 për qind nën nivelet që janë pritur para pandemisë. Edhe pse inflacioni global pritet të zbutet, ai do të mbetet mbi nivelet para pandemisë.
Në raport ofrohet vlerësimi i parë gjithëpërfshirës i perspektivës afatmesme për rritjen e investimeve në tregjet me zhvillim mesatar dhe ekonomitë në zhvillim.
Gjatë periudhës 2022-2024, investimet bruto në këto ekonomi ka të ngjarë të rriten për afro 3.5 për qind mesatarisht më pak se gjysma e normës që ka mbizotëruar në dy dekadat e mëparshme.
Në raport është paraqitur një meny e opsioneve për politikëbërësit për ta përshpejtuar rritjen e investimeve. “Investimi i ulët është shqetësim serioz, sepse shoqërohet me produktivitet dhe tregti të dobët dhe i zbeh perspektivat ekonomike të përgjithshme. Pa rritje të fortë dhe të qëndrueshme të investimeve, është thjesht e pamundur të bëhet përparim kuptimplotë në arritjen e qëllimeve zhvillimore dhe klimatike më të gjera”, ka theksuar Ayhan Kose, drejtor i Grupit të Perspektivave të Bankës Botërore, duke shtuar se: “Politikat kombëtare për t’i dhënë shtysë rritjes së investimeve duhet t’u përshtaten rrethanave të vendit, por ato përherë fillojnë me krijimin e kornizave të shëndosha të politikave fiskale dhe monetare dhe ndërmarrjen e reformave gjithëpërfshirëse në klimën e investimeve”.
Në raport po ashtu hidhet dritë mbi dilemën e 37 shteteve të vogla, e shteteve me popullsi prej 1.5 milion banorëve ose më pak.
Këto shtete kanë pësuar recesion më të rreptë për shkak të Covid-19 dhe rimëkëmbje shumë më të dobët se ekonomitë e tjera, pjesërisht për shkak të çrregullimeve të zgjatura ndaj turizmit.
Në vitin 2020, prodhimi ekonomik në shtetet e vogla ka rënë për më shumë se 11 për qind, shtatë herë më shumë sesa rënia në ekonomitë e tjera me zhvillim mesatar dhe në zhvillim.
Në raport konstatohet se shtetet e vogla shpesh pësojnë humbje që ndërlidhen me katastrofat dhe që mesatarisht e arrijnë 5 për qind të BPV-së në vit. Kjo shkakton pengesa tejet të mëdha për zhvillim ekonomik.
Politikëbërësit në shtetet e vogla mund t’i përmirësojnë perspektivat e rritjes afatgjate duke e forcuar qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, duke e nxitur diversifikimin ekonomik efektiv dhe duke e përmirësuar efikasitetin e qeverisë.
Në raport, komunitetit global i bëhet thirrje që shteteve të vogla t’u ndihmojnë duke e ruajtur fluksin e ndihmës zyrtare për ta mbështetur përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe për të ndihmuar në rikthimin e qëndrueshmërisë ndaj borxheve.