Ekonomia shqiptare do të rritet gjatë tre viteve të ardhshme
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë “ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë tre viteve të ardhshme”.
Në raportin e publikuar së fundi mbi politikën monetare, Banka Qendrore kostaton se, “zgjerimi i kërkesës agregate (konsumit) do të sjellë rritje të mëtejshme të punësimit, duke krijuar premisa për rritje të pagave dhe të inflacionit të gjeneruar në vend”.
“Paralelisht me të, frenimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit do të reduktojë presionet dezinflacioniste të ardhura prej tij. Në përputhje me këtë skenar zhvillimesh, inflacioni pritet të kthehet në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2020”, thuhet në raportin e BSH.
Sipas këtij raporti, paralelisht me zhvillimet pozitive të pritura sipas skenarit bazë, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se balanca e rreziqeve vijon të mbetet e shmangur në kahun e poshtë. Në veçanti, ambienti i jashtëm, ecuria e kursit të këmbimit dhe ritmi i rritjes së kreditimit, mund të shmangin inflacionin në kahun e poshtëm të pritjeve tona. “Politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm, ndonëse intensiteti i stimulit do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Dhe Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të përsërisë thirrjen për vijimin e reformave strukturore, si instrumenti më i mirë për nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, citon raporti i BSH.