Ekonominë nuk e shpëtojnë miliardat e huaja, por puna e mençur e vendorëve

03 maj 2020 | 13:31

Ftesë për debat publik – të gjithë ekonomistëve nga Daut Demaku

(Në kohën kur po përfundon izolimi dhe po dëgjohen zëra për fillimin e një faze të re të ZHVILLIMIT EKONOMIK, desha t’i shpalosi  disa mendime, për kushtet e brendshme dhe të jashtme, që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Por, këto janë vetëm disa propozime, vetëm një dritare e njohur, që ndoshta do të ndihmojë për ta parë më mirë rrugën e zhvillimit ekonomik.)

Për njerëzit që jetojnë në terr – dielli është shumë, shumë larg.

Për njerëzit që jetojnë syçelë – dielli është në dritare.

Ne jemi popull i TRAUMATIZUAR. Të gjithë shqiptarët, kudo të jenë, (kush më pak e kush më shumë) –  janë të traumatizuar.

Prandaj, jetojmë në terr. E qysh mund të shërohesh, QYSH MUND TË KESH ZHVILLIM EKONOMIK, qysh mund ta ndërtosh jetën – në terr të mendjes?

Të gjitha ligjet themelore të jetës së njeriut fillojnë nga MBROTJA e jetës, nga mbrojtja e ekzistencës për vazhdimin e llojit.

Ekzistenca jonë, tash 500 vjet, gjithmonë ka qenë e rrezikuar. Kemi përjetuar aq shumë dhunë për zhdukjen fizike, sa është (gati) e pamundur të gjendet ndonjë njeri i shëruar nga traumat e kësaj dhune.

Të gjithë pushtuesit, me vetë faktin që kanë shkaktuar frikë e dridhje të ligjit të ekzistencës fizike të njeriut – kanë shkaktuar TRAUMËN më të thellë të mundshme në secilin njeri.

Prandaj, në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare do të takosh FRIKËN PËR EKZISTENCË, si prodhim i parë i traumës.

Në momentin që FRIKA PËR EKZISTENCË shndërrohet në truamë të thellë, ajo, trauma, depërton edhe në përmbajtjet gjenetike.

Frika për ekzistencë e fuqizon egon. Egoja është karburanti kryesor i ligjit të xhunglës.

Ligji i xhunglës është egërsia: shkele, vrite, mbyte, shfrytëzoje, dil para tij, merrja se ta merr, haje se të ha, munde se të mund, vrite se të vret.

Ligji i xhunglës nuk e njeh dashurinë. Ligji i xhunglës nuk e njeh bashkëpunimin. Ligji i xhunglës nuk e njeh mirëkuptimin. Ligji i xhunglës nuk e njeh PARTNERITETIN..

A mund të ndërtojë farë partneriteti ujku me qengjin? Jo. Vetëm luftë, grabitje, vrasje, shkatërrim.

Shiheni jetën tuaj! Jetën tonë! A kemi dhunë politike, a kemi dhunë mediatike, a kemi dhunë shkencore, a kemi dhunë artistike, a kemi dhunë arsimore, a kemi dhunë familjare, a kemi dhunë biznesore, a kemi dhunë në trafik, a kemi dhunë…?

Shiheni jetën tuaj! Jetën tonë! A kemi dashuri kombëtare, a kemi dashuri shtetërore, a kemi dashuri shkencore, a kemi dashuri artistike, a kemi dashuri biznesore, a kemi dashuri familjare, a kemi dashuri njerëzore…(DHE SA)?

Të traumatizuar nga frika për mbijetesë – na kanë edukuar të jemi ego, pikërisht ashtu si po i edukojmë ne fëmijët tanë – të jenë ego.

Instituti i martesës – për egot – është shndërruar në dukuri për keqardhje. Aty nuk ka dashuri, por konflikt. Prandaj, ne shqiptarët qëndrojmë në krye të listës për dhunë familjare. Shkaku themelor qëndron se egoja do të bëhet zot i tjetrit. Të dominojë  (Këtu jam unë, unë jam zoti yt!). Dëshira për t’u bërë zot i tjetrit është njëra prej formave më të shëmtuara të dhunës dhe ajo nuk ka asgjë të përbashkët me dashurinë.

Fëmijës i themi se duhet të jesh i pari, më i miri, shkeli e tejkaloji të tjerët! Garë. Luftë. Ego.(Nadje, vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës e ka financuar një program të garave për krejt arsimin tone!!!) Dhe, kur ndodh që fëmija ynë të marrë notat më të mira, ne u shpërndajmë karamele prindërve të tjerë, që t’u tregojmë se jemi prind i një fëmije të suksesshëm. Ose: a i kemi thënë ndonjëherë fëmijës sonë se unë jam nëna ose babai yt dhe çfarëdo që të them unë, ti duhet ta respektosh? A e shini sa mirë e kemi vrarë ndjenjën e lirisë, të pavarësisë dhe të vetëbesimit të fëmijës?

Jo vetëm kaq, por e kemi vrarë edhe të ardhmen e tij, sepse e edukojmë të bëhet si ne, ego!

Kjo është edukata jonë që shkakton varfërinë.

A është e vërtetë se dhuna e krijon spiralen e dhunës?

A është e vërtetë se dashuria e krijon spiralen e dashurisë?

O njerëz, nga po shkojmë kështu?

NËSE NUK E DI RRUGËN NGA JE DUKE SHKUAR – PYETI ATA QË PO KTHEHEN.

Cila rrugë e jetës –  atyre që po kthehen – u ka dhënë rezultate: DHUNA APO DASHURIA?

Kjo është diagnoza e varfërisë ekonomike të shqiptarëve në tërësi.

A e dinë, a kanë kuptuar dhe a do ta kuptojnë ndonjëherë – të gjithë – ekonomistët shqiptarë, se me përfundimin e shekullit të njëzetë – është varrosur egoja primitive dhe zhvillimi ekonomik bazohet në thellësinë e PARTNERITETIT?

Çiftelitë në jetën ekonomike kanë marrë fund. Kuptojeni, ju akademikët – kuptojeni mirë – ju profesorët e fakulteteve ekonomike, që keni mbetur me dijen e shkencës ekonomike të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Bota moderne ka ndërtuar SIMFONINË ekonomike, ku njëqind violina formësojnë një tonalitet fisnik të muzikës ekonomike, që quhet PARTNERITET.

E unë, që po jua them këto fjalë, që po ju ftoj – tash pesë vjet – në DEBAT PUBLIK, kush jam unë?

Unë jam sharlatani numër një në Kosovë. Të paktën kështu më quajtën nja dhjetë portale. Shkrimet e tyre i keni në Google, mund t’i lexoni kur të doni. Madje më thanë se ia kalova edhe Hetem Ramadanit (Lum si unë, që ia paskam kaluar edhe Hetës!).

Kjo një, e dyta: unë jam njeriu më i pashkollë ekonomike në Kosovë.

…dhe interesant, ky farë sharlatani, ky njeri pa asnjë ditë shkollë nga ekonomia, paska arritur ta krijojë një vlerë, që duhet të jetë MËSIM për të gjithë ekonomistët e shqiptarisë.

Cili qenka ai rezultat, që nuk më lë të jem modest? (Modestia, kur s’ke arsye të jesh modest, është egoizëm i pastër, prandaj as nuk dua t’ia di për modesti!!).

E vizitova nxënësin tim, njeriun që PUNËSON dy herë më shumë punëtorë sesa ka punësuar kombinati TREÇA në ditët më të mira të zhvillimit ekonomik.

Ju, të gjithë ekonomistët e famshëm (me shumë pak përjashtime, që zakonisht janë të pazëshëm e të heshtur), ju, të gjitha çiftelitë ekonomike të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të gjithë sa një, keni thanë: TREPÇA është pasuri kombëtare, TREPÇA është thesar kombëtar.

E doli që THESAR KOMBËTAR, pasuri nacionale qenka INDIVIDI, që ka emër e mbiemër, që jeton si drita sot, që e ka selinë në Dyseldorf, që punëson dy herë e më shumë njerëz sesa ka punësuar PASURIA JUAJ NACIONALE me emrin e njohur TREPÇA (Ani pse askush nuk e përjashton as TREPÇËN!).

Kush qenka këtu sharlatani, ju a unë? Urdhëroni në debat.

E tash, pasi ju nuk vini në debat, pasi janë pak medie që e duan këtë debat, atëherë, më duhet t’u drejtohem lexuesve dhe t’u them: prej nga e merr sigurinë ky farë sharlatani për DEBAT PUBLIK dhe ku qëndron NJOHJA e tij?

Dija ime për ekonominë vjen nga Mësuesit e mëdhenj, si: Brian Tracy, Isak Adizhes dhe Mësuesi Lee. I kam studiuar me dashuri, sepse kam pasur dëshirë ta ndihmoj vendin tim.

Nga Mësuesi Lee kam mësuar TURIZMIN MEDICINAL, që e ka bërë Singaporin të jetë qendra e katërt financiare në botë. Ka gjashtë muaj që flas për këtë temë dhe për këtë mënyrë jete e pune për të cilën Kosova i ka TË GJITHA KUSHTET, përveç mosdijes.

Isak Adizhes, ekonomisti numër një në botë, këshilltar i sa qeverive evropiane për zhvillim ekonomik, kam dëgjuar që është mik i shqiptarëve, dhe, për dashurinë që ka ndaj shqiptarëve, librin e tij, më të mirin, që përpunon ekonominë e detajeve, e ka përkthyer shqip dhe e ka shpërndarë falas.

Prej tij mësohet EKONOMIA ARTIZANALE. Mësimet më të mira të mundshme, sidomos për shtetet e vogla, sepse kompanitë e mëdha prodhuese të shkelin si buburrecin, prandaj ekonomitë e vogla duhet të investojnë në ekonominë e vogël, artizanale.  (Këto mësime janë të thjeshta, i dinë të gjithë: hajt, konkurroje ti Mercedesin, për shembull, e të tjera…).

Brian Tracy është autor i dhjetëra librave që i kemi edhe shqip, është EKSPERTI më i njohur në botë i shitjes. Ka qenë edhe në Kosovë. E ka mbajtur ligjëratën 6-orëshe në Hotelin Emerald.  (Po ju them se ligjërata e tij ka kushtuar 50 mijë euro, sepse, megjithatë, disa biznese në Kosovë janë kreative dhe e dinë çka është vlera!).

Vlerën e ekspertit të shitjes e dinë edhe fëmijët në djep: një shitës primitiv ta shet një pikturë për 100 euro, një shitës i trajnuar, të njëjtën pikturë ta shet për një milion euro. Mos po ekzistuaka këtu ndonjë dallim mes dijes dhe mosdijes?

Fan Noli, gjeniu ynë, na e ka mësuar GJEOGRAFINË e njerëzve. A e dini çka është ky mësim? Jam i sigurt që nuk e dini, ju të politikës jo se jo, ju ekonomistët jo se jo, por as ju të tjerët.

(Më falni për arrogancën, por dija është gjithmonë DIKTATORIALE. Dija nuk është demokratike, sepse vjen nga lart, me forcë).

Që ta kuptojmë Nolin, që ta kuptojmë gjeografinë e trojeve shqiptare, që ta kuptojmë POTENCIALIN tonë të jashtëzakonshëm, që ta kuptojmë pse jetojmë në varfëri e flemë mbi flori – hajde ta luajmë një lojë, të bëjmë pak humor.

Loja: Qysh ndërtohet shteti? A është shteti një familje e madhe? A i di, i zoti i shtëpisë potencialet e të gjithë familjarëve? A i ndan punët sipas kapacitetit të të gjithë familjarëve: dikush në mal, dikush në mulli, dikush në fllanik, dikush në treg, dikush bari…

Shteti, si familje e madhe, e ka gjeografinë. Populli e ka bërë këtë ndarje, sikur Noli. Dhe ka thënë:

LLAPI ËSHTË TREGTAR, RRAFSHI I KOSOVËS ËSHTË HAMBAR, DRENICA ËSHTË KANDAR, DUKAGJINI JANË MERAKLI E KRENAR, GJAKOVA JANË MENDAR…

Po të kishte njerëz në politikë, që dinë çka është shteti, do të duhej ta përdornin elementin e njohjes që thotë: LLAPI ËSHTË TREGTAR. Pse? Dërgoje llapjanin në politikë, në shkencë, në art, në sport, në muzikë – çka të duash – llapjani ka qenë, është dhe mbetet – njëherë TREGTAR, pastaj të tjerat.

Komunistët e kanë satanizuar tregtarin. Të jesh tregtar nuk është asgjë e keqe, sepse të gjithë tregtarë jemi, të gjithë shesim e blejmë diçka.

E po të kishte shtet, po të bënte tregtinë të trajnuar, të organizuar, të financuar – jo, por të ndihmuar nga shteti – vetëm njëqind djem të llapit – tregtarë të gjallë – do ta mbanin shtetin. Edhe sot e mbajnë një pjesë të mirë, por atëherë do ta mbanin krejt, dhe maksimalisht mirë.

Njëqind tregtarë të mirë, si ai gjilanasi që blinte pambukun në arat e Turqisë, i bënte peshqirët në fabrikat e Turqisë, e i shiste në Hungari. Imagjinoni çfarë do të bënin njëqind llapjanë të zellshëm që e dinë shumë mirë këtë zeje.

Ky organizim quhet: ODË E TREGTISË.

Edhe dy-tri pika të lojës.

A keni dëgjuar ndonjëherë për FILIGRANËT e Prizrenit? Të gjithë e dinë çfarë fuqie ekonomike kanë filigranistët e Prizrenit me rrethinë – në Kroaci dhe Çeki. Po ta kishin ODËN E FILIGRANISTËVE, të organizuar e të ndihmuar nga shteti, çfarë do të ndodhte?

(Kalimthi po ju them: një mijë familje hebraike në Antwerpen të Belgjikës, të organizuara, që përpunojnë arin dhe diamantet – kanë fuqi ekonomike më të madhe se shteti belg prej 12 milionë banorësh).

A prodhohet në Rahovec rrushi më i mirë në Evropë?

Po të ekzistonte një ODË E VERËTARISË, ku do të trajnoheshin ekspertët e verës, a do të ndodhte me Rahovecin, sikur atëherë, kur sllovenët e blinin krejt prodhimin, por refuz, e bartnin në Slloveni, e përpunonin, i mbushnin shishet dhe – me firmë të tyre – e plasonin në Evropë.

Në këtë linjë mund të vazhdojmë edhe një javë, si, p.sh., me mendarët e Gjakovës, që do të përgatisnin menaxherë, me furrtarët e Hasit, që do të bënin mrekullinë e të tjera, e të tjera…

Pastaj, vjen pika e dytë e lojës: gjeografia e tokës!

Ku, në cilin rajon – çka prodhohet?

Pse në Medvegjë me rrethinë njerëzit jetojnë aq gjatë, ku është sekreti i prodhimeve të atij regjioni?

 Pse në Rahovec prodhohen ushqimet më të shëndetshme?

Pse në Shalë të Bajgorës dhe në Novobërdë (Artanë) prodhohen erëzat më të cilësore?

Pse janë të njohura dhitë e Belles së Deçanit e dhitë e Marecit?

 Çfarë fuqie prodhuese kanë Alpet Shqiptare, sidomos rrethina e Junikut?

Çka është magjia e djathit të Sharrit?… E të tjera e të tjera.

Pika e tretë e lojës janë: SEKRETET E PRODHIMIT.

(Vetëm për ilustrim) Qysh arriti Tafë Burgija, një farkëtar, kovaç i zakonshëm i Deçanit të bëhej miliarder? Cilët profesorë të ekonomisë e përgatitën këtë njeri, që e dinte sekretin qysh i jepet ujë metalit dhe prodhonte burgitë më të mira në Ballkan? Mos është ngritur mbi këtë bazë, të njohjes së sekreteve, krejt industria?

Osho thotë: kur Zoti, universi, natyra, jeta – ta dha ekzistencën, ta dha jetën, a të pyeti, a je i kualifikuar për jetë?

SECILI NJERI ËSHTË I KUALIFIKUAR PËR JETË!

Dora e Mësuesit, e shtetit, e shoqërisë, e bashkësisë – shihet vetëm në një ndihmë: që ta PËRKUJTOJNË, sepse të gjitha dijet dhe kualifikimet e tjera janë në njeriun. E njeriu është i kualifikuar për të gjitha ato punë – që DO t’i bëjë.

Behania e çervishit është – veç një lugë tëlyen. Atë lugë tëlyen ta jep shteti përmes formës së quajtur ORGANIZIM.

Kështu dilet nga varfëria dhe hyhet në zhvillim të shëndetshëm ekonomik.

Kështu zhvillohet shteti.

(Ky është mendimi im, si një dritare e vogël për ta parë këtë mundësi të madhe).

Me dashuri, Daut Demaku

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Naim Murseli, këshilltari i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacollit, ka…