Ekonomistja e Bankës Botërore: Papunësia dhe varfëria, probleme kyçe të Kosovës
Asli Senkal, ekonomiste në Grupin e Bankës Botërore, tha se varfëria mbetet shumë e lartë në Kosovë, ku rreth 18 për qind të popullsisë jetojnë në varfëri të mesme, andaj sipas saj, krijimi i vendeve të punës është rruga kryesore për zvogëlimin e shkallës së varfërisë.
“Papunësia vazhdon të mbetet e lartë dhe luhatet mes 25 dhe 30 për qind të fuqisë së përgjithshme të punëtorëve, por ajo që është më befasuese për Kosovën si dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është që derisa papunësia mbetet e lartë, pjesëmarrja në fuqinë punëtore është shumë e ulët. Pra, vetëm 4 nga 10 njerëz në popullsinë e moshës së punës kërkojnë punë ose janë të punësuar. Përveç kësaj, shohim edhe një papunësi shumë të madhe dhe gjetja e vendeve të punës është më e vështirë për të rinjtë dhe gratë. Shohim se thuajse gjysma e popullsisë së re që kërkon punë është e papunë dhe më shumë se 1 në 4 nuk po studion, nuk punon dhe nuk kërkon punësim. Kjo është shumë më rëndësi në kuptim të asaj që zvogëlimi i varfërisë kryesisht vjen me anë të hyrave”, ka thënë ajo.
Alban Hashani, drejtor Ekzekutiv i Institutit RIINVEST, ka thënë se kur flitet për tregun e punës ka shumë mospërputhje në mes të ofertës dhe kërkesës. Ai tha se shumë njerëz kanë mospërputhje për shkak të pagës që presin.
“Kur diskutojmë për tregun e punës, disa elemente të rëndësishme, ka probleme strukturale, pra ka një shpërputhje në mes ofertës dhe kërkesës dhe shumë njerëz, po e përmend një shpërputhje për pritjet për rroga. Duket sikur kjo krijon si nga ana e ofertës si nga ana e kërkesës, po nuk duhet të ketë shpërputhje domethënëse në kuptim të rrogave. Pritshmëria më e madhe që është në shpërputhje janë pritjet për kushtet e punës, pra në sektorin privat njerëzit punojnë për më shumë kohë, më shumë orë, më orar më të gjatë dhe nuk kanë kontratë. Pra, nuk janë vetëm pagat, janë edhe kushtet e punës”, ka thënë ai.