Ekosistemi i Vjosës vuan nga erozioni i lartë

23 mars 2025 | 16:35

Ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke, iu bashkua një aksioni në Tepelenë në ditën ndërkombetare të pyjeve, për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa.

Në ditën ndërkombetare të pyjeve, ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke iu bashkua një aksioni në Tepelenë për ripyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa. Dikur pyjet këtu siguronin mbrojtje natyrore kundër erozionit. Tani, ky ekosistem ka nevojë për ndërhyrje, sidomos nën ndikimin e ndryshimeve klimatike. ‘’Ndryshimet klimatike shoqërohen në çdo vend të botës me periudha thatësirash, me stuhi, me përmbytje dhe politika nuk ka reaguar ende mjaftueshëm ndaj këtyre fenomeneve. Ne duhet të kuptojmë që ne jemi të varur ndaj mjedisit, që na duhet të konsiderojmë natyrën si aleaten tonë, nëse duam të mbrojmë jetën tonë, dhe jo ta dëmtojmë atë‘’, tha Lemke.

15,000 fidanë bimësh autoktone

Vitin e kaluar u ndërtua një fidanishte që ka rreth 15,000 fidanë bimësh autoktone, të cilat do të mbillen në dhjetë zona të ndryshme përgjatë Luginës së Vjosës. Eksperti i mjedisit Olsi Nika e cilëson këtë proces si jetik për ruajtjen e biodiversitetit të parkut. ‘’Një nga problematikat më të mprehta që ka lumi i Vjosës si ekosistem është shkalla e lartë e erozionit, dhe kjo reflektohet edhe në transportin e madh të sedimenteve, ccka ka qënë edhe një argument kryesor kundër ndërtimit të Hidrocentraleve. Dhe kjo vjen si pasojë kryesore e shpyllëzimeve’’, sipas Nikës.

Industri që përbëjnë kërcënim serioz

Sipas ligjit, pas marrjes së statusit të mbrojtjes, në Vjosë duhet të zhvillohen vetëm aktivitete që nuk e dëmtojnë mjedisin. Megjithatë, Organizata mjedisore Eco Albania ka identifikuar disa industri që vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim serioz. ‘’Një është idustria nxjerrëse-përpunuese, dhe kam këtu parasysh industrinë e naftës, minierave, bitumit. Marrja e inerteve në mënyrë direkte nga shtrati i lumit, dhe ne kemi identifikuar gati 10 të tilla që veprojnë gjatë shtratit të Vjosës.  Dhe e treta është marrja e ujit nga lumi’’, thekson Nika.

Plani i menaxhimit të parkut, i miratuar në fund të vitit 2024, ende nuk ka filluar të zbatohet në terren. Por kjo sipas ekspertëve do të jenë vendimtare për të ardhmen e tij. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka arritur që për herë të parë të…