Ekpserti i kriminalistikës për vrasjen e Liridonës: Ajo ka ditur sekrete shumë të mëdha!
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, është shprehur se dyshon se shkak për vrasjen e Liridona Ademajt nga bashkëshorti i saj në Kosovë, Naim Murseli, ka qenë një sekret shumë i madh që ajo ka ditur.
Komentet Karamuço i bëri në emisionin “Review” në Euronews Albania, ku tha se kjo nuk mund të jetë një vrasje feminicidi, pasi sipas tij, është kryer në gjakftohtësi të plotë dhe e mirëmenduar.
Ai shtoi se Naimi ka dashur që bashkëshortja e tij t’i marrë me vete motivet e vrasjes së saj.
“Ky nuk është rast feminicidi mendoj unë. Feminicidin e kemi konsideruar të lidhur me ato që kemi konsideruar marrëdhënie në çift apo intime, që kanë precipituar deri në vrasje. Por ato kanë filluar me dhunë verbale, fizike, psikologjike, heqjen e paligjshme të lirisë dhe deri në flijim.
Ky është një rast specifik dhe vështirësia e Policisë është për të zbardhur deri në fund motivet e vrasjes.
Ai ka dashur që motivet viktima t’i marri me vete.
Feminicidi bëhet në gjaknxehtësi e sipër, kjo është bërë në gjakftohtësi.
Kur kemi paramendim dhe gjakftohtësi, atëherë është diçka më shumë.
Për mua arsyet janë një sekret shumë i madh që ajo femër ka pasur ndaj bashkëshortit të saj.
Ai është menduar e reflektuar gjatë, ka planifikuar mënyrat sesi kjo femër të mos i dëmtojë interesat asaj nëse ndahet.
Ka pasur versione nga më të ndryshmet. Është një shkak shumë i rëndë”, është shprehur Karamuço.