Ekrem Bardha në vitin 1986 fitoi betejën e parë kundër Jugosllavisë
Shkruan: Ferdinand Samarxhi
Fitues i Antenës së Artë/Mjeshtër i Madh
Ekrem Bardha, shqiptaro-amerikani që loboi aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës (2)
– Shqiptari që takoi gjashtë presidentë amerikanë, sekretarë shteti, senatorë, kongresmenë, ambasadorë…
-U arratis nga Shqipëria, por kurrë dheun, vendin e vet, nuk e tradhtoi. Kosova ishte zemra e tij.
– Zoti Bardha, ju jeni organizator i shumë protestave për çështjen shqiptare. Kur erdhi Mehmet Shehu në OKB ju dhe të tjerët organizuat një protestë të madhe kundër tij. Paradoks, ju lutem ndani me ne, çfarë ndodhi me protestën tuaj?
Ekrem Bardha: Më 12 tetor 1960 në Nju Jork erdhi kryeministri shqiptar, Mehmet Shehu. Mërgata politike organizoi përpara selisë së OKB-së një demonstratë të fuqishme, në të cilën hidhte parulla kundër kryeministrit komunist, Mehmet Shehu dhe mungesës së lirisë në Shqipërinë komuniste. Ajo ditë, 12 tetor 1960, do të mbetet dita e lartësimit të identitetit tonë kombëtar, dinjitetit e krenarisë kombëtare, në të gjithë historinë e diasporës. Rruga, midis të “First Avenue” & “49 Street”, u gjakos me gjak shqiptari.Rruga ku diaspora shqiptare, patriotët, atdhetarët e antikomunistët, që kishin dalë ato ditë kundër kryeministrit komunist shqiptar, Mehmet Shehut, e harruan atë dhe spontanisht të motivuar nga një provokacion i rëndë i grupeve të diasporës greke, për disa orë u përleshën fizikisht me diasporën greke, që kishte dalë të protestonte, me parulla dhe flamuj grekë që kërkonin nga Kombet e Bashkuara, njohjen e të ashtuquajturit Vorio Epir – Epiri i Veriut. Ata kishin ngritur zërin duke shfrytëzuar pjesëmarrjen e Mehmet Shehut dhe liderëve nga e gjithë bota, duke kërkuar, sipas tyre, të ashtuquajturat të “drejtat” e nëpërkëmbura të minoritetit grek, në Shqipëri, zhdukjen e çështjes çame, dhe mbajtjen në fuqi të Ligjit të Luftës dhe kërkonin që ta merrnin, sipas tyre, gjithë Jugun e Shqipërisë, me pretendime të egra shoviniste deri në Shkumbin. Diaspora shqiptare ndodhej në të njëjtin shesh për të protestuar kundër regjimit komunist që kishte izoluar Shqipërinë dhe dënonte me mijëra shqiptarë për fjalën e lirë. Përplasja filloi “duke u goditur fillimisht në distancë, ku në mes qëndronte një rresht me policë amerikanë, ndërsa protestuesit hidhnin mjete të forta dhe hedhin parulla fyese e ofenduese” si nga protestuesit shqiptarë dhe turma greke që ishte më e organizuar dhe e përgatitur për t’iu kundërvënë shqiptarëve, duke menduar se “edhe ata do t’i bashkoheshin atyre meqenëse kishte ardhur kryeministri komunist”. Kjo situatë vazhdoi për disa orë derisa përleshja u vu nën kontrollin e policisë njujorkeze, e cila kërkoi që protestuesit e të dyja palëve të mos afroheshin shumë afër njëri-tjetrit.
Demonstrata e diasporës shqiptare në ShBA. Nga e djathta Ekrem Bardha
Demonstratën dhe përleshjen e përgjakshme e kanë ndjekur për herë të parë gazetarët e gazetave dhe radiove më të mëdha amerikane. Të nesërmen ishte hera e parë që shqiptarët “pushtuan” lajmet e asaj dite, në faqet e para të gazetave më të njohura të Nju Jorkut. Të gjitha gazetat, radiot më të mëdha amerikane dhe më prestigjiozet e botës, e pasqyruan ngjarjen me tituj të mëdhenj dhe në faqe të parë. Disa prej këtyre mediumeve këtë ngjarje e shoqëruan edhe me fotografi se çfarë kishte ndodhur dhe se si kishte ndodhur. “New York Times”, “USA Today”, “Washington Post”, “St Petersburg (FL) Times”, “Associated Press”, “Denver Post”, “Chicago Tribune”, “Christian Science Monitor” e të tjera në faqe të parë pasqyruan demonstratën dhe ngjarjen, duke e pasqyruar atë si lajm kryesor të asaj dite. Disa prej tyre dolën me tituj të tillë si: “Gjakoset rruga përballë Kombeve të Bashkuara”. Në Nju Jork hapet “lufta” midis Greqisë dhe Shqipërisë” – “nacionalistët dhe antikomunistët shqiptarë në Amerikë, për hir të Shqipërisë, dalin e ‘mbrojnë’ udhëheqësin komunist kryeministrin Mehmet Shehu”, “për hir të kombit të tyre, emigrantët politikë shqiptarë për pak e harruan udhëheqësin komunist”. “Shqiptarët, treguan se janë nacionalistë të mëdhenj” e shumë e shumë tituj të tjerë të kësaj ngjarje.Ky është një shembull që të bën të ndihesh krenar për ndjenjën e atdhedashurisë që kanë shqiptarët kudo në botë. Gjithashtu, është edhe një mesazh për brezat e rinj, që regjimet apo qeveritë shkojnë e vijnë, por atdheu mbetet një për të gjithë shqiptarët. Nëse ka diçka që më ka ndjekur gjatë gjithë jetës sime është pikërisht dashuria për atdheun, për vendin tim, edhe në kohën e fatkeqësive, edhe në atë të suksesit.
Pasqyrimi i medieve amerikane nga raportimi i Ekrem Bardhës në Kongresin Amerikan. Në fotografi Ekrem Bardha dhe kongresisti William Broomfield
Bardha, biografia juaj është mjaft e pasur për çështjen kombëtare. Duke qenë larg vendit tuaj, si u bëtë ju edhe kosovar?
Ekrem Bardha: Në vitin 1966 unë shkova në Paris dhe vendosëm të takoheshim me prof. Abaz Ermenjin, emër i madh në historinë e kombit. Takimi u bë në një restorant në qendër të Parisit. Ishte një takim shumë emocionues për mua. I tregova më pak fjalë historinë time dhe të familjes, dhe i hapa zemrën për shqetësimin tim dhe të të gjithë shqiptarëve në mërgim se si duhet ta zgjidhnim hallin e madh që na kishte rënë, Shqipërinë komuniste. Të organizohemi dhe të punojmë me të gjitha fuqitë tona për ta rrëzuar regjimin komunist, me qëllimin e mirë për ta bërë Shqipërinë një vend demokratik dhe të zhvilluar, ky ishte edhe qëllimi i takimit me profesorin e nderuar. Por, për çudi, profesor Ermenji, filloi të më fliste me pasion për çështjen e Kosovës, duke e quajtur mbetjen e saj jashtë territorit të Shqipërisë, “një tragjedi kombëtare”.Profesori vazhdonte të shpjegonte me fakte konkrete tragjedinë e ndarjes së trevave shqiptare nga Konferenca e Londrës, për të ardhur deri në ditët tona, duke përshkruar gjendjen e mjeruar të kosovarëve nën regjimin e Titos. Nuk po kuptoja me të vërtetë se pse ishte gjithë ai zell i profesorit të nderuar për Kosovën, kur ne kishim problemin e Shqipërisë nën sundimin komunist, një plagë të hapur që duhej mbyllur. I kërkoj ndjesë dhe leje njëkohësisht, nëse mund ta ndërprisja profesorin për një moment dhe i them: “Profesor, me gjithë dhembjen që ndiej për ndarjen e Kosovës dhe për vuajtjet e vëllezërve kosovarë, dua t’ju them se këtë takim e kërkova që të bisedojmë për problemet e Shqipërisë, për hallin e madh që na ka zënë, për shembjen që duhet t’i bëjmë regjimit komunist dhe ndërtimin e një sistemi demokratik. Si një lider i mërgatës politike shqiptare, unë po pres nga ju të më thoni dhe të më jepni shpresë se si do të ndërhyjmë në Shqipëri, për të rrëzuar atë sistem diktatorial, që më detyroi mua dhe mijëra shqiptarë të tjerë të braktisnim vendin tonë nga persekutimi komunist…”. Profesor Ermenji më dëgjoi me qetësi duke kuptuar shqetësimin tim dhe më tha: “Megjithëse që të dy jemi kundër sistemit komunist, përsëri Shqipërinë e kemi shtet, kurse problemi më i madh kombëtar ende i pazgjidhur. Fjalët e tij më qartësuan te fakti se Kosova ishte kështjella që duhet të merrnim ne shqiptarët kudo që ishim në botë, për ta bërë shtet të pavarur dhe të lirë nga zgjedha titiste”.
Ekrem Bardha me presidentin e ShBA-së, Gerlad Ford
Çështja Ivezaj ishte prologu, fillimi i demaskimit të regjimit çnjerëzor të Jugosllavisë. Në vitin 1996 ju dhe bashkatdhetarët e tjerë e themeluat lobin shqiptar në Uashington?
Ekrem Bardha: Fitorja e parë e diasporës shqiptare në ShBA ndaj ish-Jugosllavisë do të shënohej në vitin 1986, kur i rrezikoi shtetit jugosllav statusin e vendit më të favorizuar në Amerikë. Por, përpjekjet e diasporës se Amerikës kishin vite që kishin filluar me mënyrat nga më të ndryshmet. Do të përqendrohem tek rasti që për herë të parë në Kongresin Amerikan denoncohet me dëshmi dhe fakte konkrete, keqtrajtimet e shqiptarëve në Jugosllavi. Ishte viti 1986 kur komuniteti shqiptar në Amerikë u trondit nga arrestimi i shqiptaro-amerikanit Pjetër Ivezaj nga Malësia e Madhe. Ai kishte shkuar për pushime në vendlindjen e tij dhe autoritetet jugosllave i paraqiten disa fotografi, si prove fajësie, që tregonin pjesëmarrjen në demonstratat e organizuara pesë vjet më parë, më 1981, në Uashington. Gjykata e dënoi me shtatë vjet burg. Komuniteti shqiptar në Miçigan u vu menjëherë në lëvizje. Për këtë shkelje të rëndë të të drejtave lajmërova kongresistin Broomfield, i cili jo vetëm e mori seriozisht këtë çështje, por menjëherë e vuri në rend të ditës në Kongresin Amerikan. Ky ishte hapi i parë, nga ku do të niste një kalvar i madh i përpjekjeve të diasporës për t’i bindur diplomatët amerikanë, që Jugosllavia është shteti që përdor gjenocid te shqiptarët. Fjala e kongresistit Broomfield krijoi reagime në Kongres. Anëtarë të tjerë të Kongresit Amerikan nisën të interesohen rreth rastit në fjalë dhe të njihnin një tjetër Jugosllavi, ndryshe nga ajo që zyrtarët e atij vendi kishin propaganduar, për sa iu takon të drejtave të shqiptarëve. Përpjekja e diasporës sapo kishte nisur t’i jepte efektet e para. Me këmbënguljen e William Broomfield u organizuan dy seanca të veçanta për dëgjim dëshmitarësh në nënkomisionin e Kongresit për të Drejtat e Njeriut të kryesuar nga kongresisti Gus Yatron. Seancat u mbajtën më 2 dhe 8 tetor 1986. Të gjitha materialet u botuan në një broshurë me titull “Persekutimi i minoritetit shqiptar në Jugosllavi”, e cila përbën një dokument me vlerë historike, sepse për herë të parë Kongresi Amerikan ngriti akuzë ndaj Jugosllavisë, shtetit me statusin e vendit të favorizuar, për shkeljen e të drejtave njerëzore dhe qytetare në atë vend. Kongresisti William Broomfield më kërkoi që unë të dëshmoja në Kongresin Amerikan, kështu më 8 tetor 1986 dëshmova përpara Kongresit Amerikan për shkeljet flagrante, për keqtrajtimet që u bëheshin shqiptarëve në Jugosllavi. Kongresisti William Broomfield bindi kongresistët e tjerë se ndaj Jugosllavisë duhej hartuar një peticion, ku do të kërkoheshin sanksione të forta ndaj këtij shteti. Brenda pak orësh, 150 kongresistë nënshkruan peticionin ku kërkohej lirimi i shqiptaro-amerikanit, në të kundërt ata do ta propozonin heqjen e statusit të vendit të favorizuar për Jugosllavinë me ShBA-në dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Ultimatumi i kongresit krijoi një reagim të menjëhershëm në Jugosllavi. Qeveria jugosllave, e trembur nga sanksionet, mori vendimin që ta lirojë menjëherë nga burgu bashkatdhetarin tonë dhe qeveria jugosllave i kërkoi falje Shtëpisë së Bardhë për incidentin dhe e siguronte se nuk do të përsëriteshin më raste të tilla. Ne shqiptarët e Amerikës kishim fituar një betejë të madhe dhe nga ai çast, faktori shqiptar në Amerikë nisi të merrej seriozisht në konsideratë, të ishte i besueshëm për çështjet që ngrinte.
Çfarë ishte NAAC-u? Përse e themeluat ju?
Ekrem Bardha: Ishte ideja e kongresistit Broomfield që ne shqiptarët, më shumë prani tashmë në ShBA, të krijonim një lob siç kishin edhe komunitetet e tjera në ShBA, grekët apo hebrenjtë, sepse duke përdorur një shprehje shqiptare, ai tha se ju jeni si “tufa pa çoban”, prandaj duhet të organizoheni përmes një këshilli. Në vitin 1995 bisedova me ambasadorin William Ryerson, ish-ambasadori i parë amerikan në Tiranë, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Ambasadori Ryerson ishte një lobist i madh i çështjes shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. Ishin momente kur situata në Kosovë po përkeqësohej nga politika shfarosëse e Millosheviqit. Ambasadori Ryerson e njihte fare mirë situatën në Kosovë, pasi kishte qenë konsull amerikan në Prishtinë dhe e përforcoi idenë time për krijimin e një organizate jofitimprurëse, pra të një lobi që do të punonte vullnetarisht për ta sensibilizuar politikën amerikane mbi problemet serioze të çështjes së Kosovës. Tashmë politika amerikane ishte pak a shumë e familjarizuar me politikën diskriminuese të Jugosllavisë, pasi nuk kishte kaluar shumë kohë nga ultimatumi që kishte marrë prej Kongresit Amerikan. Por, sidoqoftë, duhej edhe më shumë përpjekje nga diaspora shqiptare e Amerikës, pasi situata po rëndohej dhe politika e Millosheviqit po bëhej më agresive dhe për këtë duhej një ndërhyrje më e organizuar në politikën dhe diplomacinë amerikane nga faktori shqiptar. (Vijon)
Ekrem Bardha duke denoncuar çështjen Ivezaj në takim me kongresistin William Broomfield