Ekrem Kryeziu tregon për torturat që përjetoi në burgun ku ishte edhe Ukshin Hoti
Regjisori dhe dramaturgu Ekrem Kryeziu ka rrëfyer torturat që ka përjetuar gjatë kohës sa ishte në burg.
Kryeziu, i cili kishte ndarë të njëjtin burg me profesorin dhe aktivistin, Ukshin Hoti, dhe rreth 20 persona tjerë që quheshin ‘Grupi i Intelektualëve’, thotë se u burgos duke mbrojtur shpirtin e popullit shqiptar.
“Është e vërtetë e madhe që nuk kam nejt rahat. Krejt çka kam ba, krejt çka kam shkru edhe shkrimet e mia, edhe dokumentarët kanë qenë ta mbroj trungun shqiptar, shpirtin e popullit tim. Çfarë funksioni ka një intelektual? Ai me armë nuk vran që ta mbroj vendin e tij, por duhet ta mbroj shpirtin e tij”, tha ai për idealin e tij për të cilin ishte dënuar me burg.
Në rrëfimin e tij, në ‘Kallxo Përnime’, Kryeziu shpalos se si ishte planifikuar burgimi i tij.
“Para burgosjes time unë isha duke e përfunduar serialin ‘Gjurmët e Bardha’ në Beograd. Vjen drejtori i studios ku e punonin tonin, edhe tha: ‘Oo qysh Ekrem a nuk je ti në burg a? Unë e di që ti je në burg edhe je i dënuar tetë vjet’. Këta ma ka thanë në Beograd gjashtë muaj para se të burgosem. Kam pritur që ka me ndodh diçka. Unë mbas një viti i marr 8 vite burg ashtu qysh më tha ai”, tregon regjisori.
Sipas Kryeziut, duke u kryengritur për të drejtat e tij dhe vendit të tij në vitin 1982 u burgos dhe ishte në të njëjtin burg me Ukshin Hotin, Mentor Kaçin, Ali Kryeziun, Halil Alidemajn.
“Unë t’u dashtë t’i shfrytëzoj të drejtat që të jemi shtet. Ka qenë nëse dikush e ngrit kryet, nuk e pranon ti kot ke ba. E unë i kam ba edhe jam hi në burg”, thotë ai.
Ai thotë se zyrtarisht është dënuar për veprën – rrënim i Jugosllavisë.
“Mua më patën torturu shumë. Zi e kam pasë trupin. Në burgun e Prishtinës më patën torturu”, rrëfeu ai.
“Mbas burgut në Prishtinë më kanë dërgu në një garazhë nën tokë, ku ka qenë një tavolinë, një shtrat dhe një ulëse ku rrike roja. 24 orë ka ndejt roja me mua që ndërroheshin çdo gjashtë orë. Mbi shtrat kanë qenë katër reflektorë edhe një gyp për ajër. Aty kam përjetu tortura të tmerrshme. Kam pasë dëshirë të më vrasin”, shtoi Kryeziu.