Ekskluzive: Posta e Kosovës ua ul pagat punëtorëve
Punëtorët e Postës së Kosovës nga muaji janar i këtij viti do të marrin pagat me grada të reja, ku do të ketë ulje të pagave për punëtorët e këtij insitucioni.
“Për punonjësit me gradat: 1, 2,3,4,5,6,7,8,9,10,11 dhe 12 grada e re është për 10 për qind më e vogël. Për punonjësit me gradat 13,14,15,16 dhe 17 grada e re është për 15 për qind më e vogël. Pagat me gradat e reja do të aplikohen nga muaji janar, 2020. Po ashtu, ju njoftojmë se pas nxjerrjes së akteve të nevojshme do të bëhet pagesa e përvojës së punës prej 0.5 për qind, sa më shpejt që të jetë e mundshme. Kjo ndikon që ulja e pagave për shumicën e punëtorëve, sidomos e atyre me përvojë më të gjatë, të mos vërehet fare. Gjithashtu, edhe me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave nuk do të këtë ulje tjetër të pagave për gradat 1-12”, është bërë me dije në njoftimin e brendshëm të këtij institucioni për punëtorët, të cilin njoftim e ka siguruar “Epoka e re”.
Po ashtu, edhe Bordi i Telekomit të Kosovës para tri ditësh ka marrë vendim për t’i zvogëluar pagat për të gjithë punëtorët e këtij institucioni. “Koeficienti i secilës gradë për të gjithë punëtorët pa dallim zbritet për 10 për qind përjashtuar pozitat e larta të parapara me Ligjin për Ndërmarrje Publike ku zbritja e koeficientit aktual është për 20 për qind, duke filluar nga data 01.01.2020”, është thënë në vendimin e Telekomit të Kosovës.
(Epoka e re / Albulena MAVRAJ)