Ekskluzive: SHBA-ja i anulon projektet milionëshe deri sa të hiqet taksa!
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim që t’i anulojnë të gjitha projektet e rëndësishme të investimeve të tyre në Kosovë, derisa Qeveria e Kosovës të marrë vendim për anulimin e taksës kundër mallrave të Serbisë.
Ambasadori i SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe i Dërguar Special i Presidentit Trump për dialogun Kosove-Serbi, mësohet se sot ka pasur një komunikim të ashpër dhe të qartë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, si dhe Kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, të cilëve ua ka bërë të qartë se SHBA-ja është e gatshme të bëjë investime milionëshe në Kosovë, nëse hiqet taksa.
“Megjithëkëtë, SHBA-ja do t’i anulojë të gjitha këto projekte deri sa Qeveria nuk i heq taksat dhe nuk heq dorë nga planet për vendosje të reciprocitetit”, ka thënë ky burim për “RTK”.
Kjo është bërë e qartë edhe në një postim të ambasadorit Grenell në profilin e tij në “Twitter”, ku thotë se nuk mund të ketë investime amerikane pa heqjen e taksës.
“Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell në “Twitter”.