Ekspertët britanikë parashikojnë valë të dytë të virusit me 120,000 viktima
Ekspertët britanikë kanë thënë se Mbretëria e Bashkuar duht të fillojë përgatitje intensive për valën e dytë të koronavirusit, e cila pritet ta ketë potencialin për të shkakuar deri në 120,000 viktima në rastin më të rëndë.
Mjekë dhe shkencëtarë të njohur të këtij vendi, të angazhuar nga Akademia e Shkencave Mjekësore, thanë të martën se, pa masa urgjente, rritja e numrit të rasteve gjatë dimrit do të mund ta bllokonte sistemin shëndetësor, kur ai është i ngarkuar edhe për shkak të gripit dhe sëmundjeve të tjera sezonale.
Kryerja e këtij hulumtimi u kërkua nga Sir Patric Vallance, i cili është këshilltari kryesor shkencor i qeverisë britanike. Raporti i shkencëtarëve tashmë u është dërguar ministrave dhe autoriteteve shëndetësore lokale. Në të bëhet thirrje për përpjekje të menjëhershme për valën e dytë të pandemisë.
I hartuar nga 37 ekspertë, raporti thekson se skenari më i rëndë nuk është parashikim për atë që mund të ndodhë, por përshkrim i asaj se si pandemia mund të zhvillohet, nëse lejohet rritja e numrit të rasteve dhe nëse bëhen pak për t’i përgatitur organet shëndetësore dhe shërbimet e kujdesit social, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Sipas modelit të analizës së përdorur në këtë hulumtim, numri i pacientëve të shtrirë në spitale dhe numri i vdekjeve nga koronavirusi do ta arrijë kulmin në janar dhe shkurt të vitit të ardhshëm, me shifra të ngjashme si në valën e parë.
Në raport bëhet thirrje për një fushatë të gjerë informuese në vjeshtë në mënyrë që njerëzit të inkurajohen për ta luftuar përhapjen e virusit.