Ekspertët e bombave të Njësisë Speciale paralajmërojnë protestë
Ekspertët e bombave të njësisë speciale ‘BOMB SQUAD’ (NJTME), për shkak të pakënaqësive dhe diskriminimit me shtesat e rrezikshmërisë paralajmërojnë protestë në ditët në vijim.
Njësia ‘’BOMB SQUAD’ (NJTME) është njësi elitare e cila operon në kuadër te njësive speciale te Policisë se Kosovës.
Detyrat primare të saj janë reagimi në kërcënimet me bomba, zbulimi, çmontimi i gjitha llojeve të bombave, mjeteve eksplozive si dhe materieve të rrezikshme të cilat kanë prapavijë kriminale-terroriste.
Po ashtu specialistët e kësaj njësie bëjnë ekspertiza të detajuara shkencore për rastet e shpërthimeve dhe gjetjeve të mjeteve eksploduese.
Pjesëtaret e kësaj njësie numri i te cilëve sipas informatave aktualisht është i vogël, janë të trajnuar ne Akademitë më prestigjioze ne botë, certifikimi i tyre si ekspert i kësaj fushe zgjat 5 vite.
Policia e Kosovës që gjatë ushtrimit të detyrës jo pak herë i ekspozohet rrezikut, pas nëntë muajsh vonesë pritet t’i marrë shtesat e rrezikshmërisë. Nëse hyn në fuqi propozimi i ri i Qeverisë, shtatë kategori të pozitave në këtë institucion pritet që me pagat e nëntorit t’i marrin edhe shtesat që sillen nga 45 deri në 150 euro.
Vlera e shtesës së rrezikshmërisë, e propozuar nga ekzekutivi është nga 60 deri 80 më pak sesa para se të hynte në fuqi Ligji për paga. Ky minus, për policinë e rregullt është kompensuar me pagën bazë e cila me ligjin e ri nga 392 euro është rritur në 525 euro bruto. Por se, ndryshimet në paga e shtesa nuk u prekin të ardhurat e policëve të Njësisë Speciale Intervenuese. 675 euro bruto është paga e pjesëtarëve të kësaj kategorie, duke përfshirë shtesën e rrezikshmërisë. Aq ishin të ardhurat financiare për këtë kategori edhe para hyrjes në fuqi të ligjit të ri, pasi përveç shtesës së rrezikshmërisë ky njësit përfitonte edhe shtesën për punë të veçantë në vlerë prej 100 euro, që tani i është hequr.
E bazuar në vlerën e pagës bazë dhe në shtesën për rrezikshmëri, ekipet reaguese dhe patrullat, që njëherazi përbëjnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin pagë prej 585 euro bruto. Krahasuar me pagën para hyrjes në fuqi të Ligjit të ri, kjo kategori ka rritje prej 53 euro.
është paga bruto e policëve për menaxhimin e operacioneve nga 497 euro sa paguheshin në vitin e shkuar. E, pjesëtarët e patrullave kufitare do të marrin pagë bruto prej 625 euro, apo 53 euro më shumë.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se paga neto e pjesëtarëve të policisë nuk ka rritje. Ai theksoi se rrogat e tanishme nuk pasqyrojnë punën e mirëfilltë të policisë.
“Ajo çfarë këta e kanë proklamuar se do të rriten pagat me këto të tanishme kanë një diskrepancë. Të mos e harrojmë një fakt që paga mbi 500 euro me automatizëm tatimohet më shumë. Pra ka rritje në pagën bruto, mirëpo në pagën neto nuk ka”, ka thënë Shala.
Sipas Shalës, pjesëtarët e policisë më herët nuk kanë paguar tatim për shtesat që i kanë përfituar. Ndërsa shtesat që do t’i marrin nga muaji nëntor do t’i nënshtrohen tatimit.
“Kjo është që Qeveria po mundohet ta fshehë dhe ta proklamojë si rritje. Ekzekutivi nuk po përmend saktësisht në neto sa do të paguhen policët. Më herët ata nuk kanë paguar tatim për shtesat, tani ata do të paguajnë tatim”, ka thënë ai.
Sipas propozimit të fundit të Qeverisë, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë. Më herët përfitonin 215 euro nga kjo shtesë.
Nga 120 euro do t’i marrin pjesëtarët e Njësitit Special Operativ, K-9 dhe njësitit për eksplozivët dhe deminim. Shuma që përfiton më herët ishte 200 euro.
Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa ata të hetuesisë nga 75 euro shtesë mbi pagë, nga 150 sa merrnin në vitet paraprake.
Ekipet reaguese dhe patrullat, që njëherazi përbëjnë edhe numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë për rrezikshmëri, apo 80 euro më pak se që merrnin para se Ligji për paga të hynte në fuqi.
Zyrtarët të cilët para hyrjes në fuqi të ligjit të ri për pagat përfitonin pagë më të madhe, do të marrin një shtesë të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë gjatë vitit të parë. Gjatë vitit të dytë, shtesa do të jetë në vlerën e 50-përqindëshit të diferencës mes pagave.
Në Sindikatën e Policëve, kanë kërkuar nga ekzekutivi që të ndryshohet propozimi i qeverisë për shtesën e rrezikshmërisë. E, në shenjë pakënaqësie, njësia elitare e Policisë paralajmëroi protestë për të mërkurën.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjithçka është vendosur krahas kapacitetit të buxhetit.
Për shtesat e rrezikshmërisë, opozita ka kërkuar disa herë debat parlamentar për shqyrtimin e projektrezolutës për mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovës, e cila dështoi të mbahet, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk morën pjesë, me arsyetimin se kjo çështje është duke u trajtuar në Qeveri.
Rezoluta për shtesat është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Përmes kësaj rezolute, PDK-ja kërkon që 15 ditë nga miratimi i saj të ndahen mjetet për shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës. Po ashtu, brenda 60 ditëve të miratohet projektligji për pensionim të parakohshëm të zyrtarëve policorë, kurse nga 1 janari 2024 të mbulohet pagesa e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.
E formuar 24 vjet më parë, Policia e Kosovës numëron afro 10.000 pjesëtarë me grada të ndryshme. Ata ende nuk kanë as sigurim shëndetësor e as jetësor. Sipas të dhënave të sindikatës 2.200 pjesëtarë janë larguar nga ky institucion prej se është themeluar në vitin 1999.