Ekspertët e ekonomisë nuk e shohin zgjidhje afatgjatë për ekonominë tërheqjen e mjeteve nga Trusti

27 korrik 2020 | 10:37

Njohësit e çështjeve të ekonomisë, Visar Vokrri, Safet Gërxhaliu dhe drejtori i Odës së Afarizmit, Skender Krasniqi, kanë thënë se për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia Covid-19, është dashur të gjenden alternativa të tjera pasi, sipas tyre, nuk është zgjidhje afatgjatë tërheqja e kursimeve nga Trusti Pensional.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike Covid-19, që në kuadër të këtij projektligji është inkorpouruar edhe plotësimndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovë, ku parashihet që qytetarët e Kosovës t’i tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale.

Visar Vokrri, ekonomist nga Instituti Riinvest, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se në kohë krizash kur ka rënie të kërkesës, ndërhyrje të tilla mund ta nxisin konsumin, por meqë s’mund të paragjykohet mënyra e shpenzimit të këtyre mjeteve, atëherë ka gjasa që këto mjete mos të shpenzohen për rimëkëmbje ekonomike. “Përmes ndryshimeve ligjore që parashihen në projektligjin për rimëkëmbjen ekonomike Covid-19, qeveria parasheh edhe mundësinë që qytetarët e Kosovës të mund të tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre pensionale para pensionimit. Ky veprim është pjesë e masave që qeveria ka paraparë për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe ka për qëllim rritjen e kërkesës agregate përmes futjes në qarkullim të rreth 200 milionë euro nga fondi i kursimeve pensionale. Në kohë krizash, kur kërkesa ka pësuar rënie, ndërhyrje të tilla që mund ta nxisin konsumin janë të mirëseardhura. Mirëpo, duke marrë parasysh supozimet që kjo masë ngërthen në vete, efekti druaj që do të jetë i papërfillshëm dhe kjo për disa arsye. Fillimisht, nuk dihet sa është shuma totale që do të tërhiqen nga fondi sepse jo të gjithë kontribuuesit do të duan të bëjnë një gjë të tillë. Pastaj, nuk duhet marrë për ta mirëqenë faktin që të gjitha paratë që do të tërhiqen nga kursimet pensionale do të shkojnë në konsum”, ka thënë Vokrri.

Ai ka shtuar se në kohë krizash dhe pasigurish, ekonomitë familjare kanë tendencë ta reduktojnë konsumin e mallrave dhe shërbimeve joesenciale. “Gjithashtu, këtu duhet pasur parasysh edhe strukturën e kontribuuesve; 20 për qind e kontribuuesve kanë afërsisht tri të katërtat e të gjitha kontributeve në fondin pensional. Kjo kategori është kryesisht kontribuues me të ardhura të larta të cilët jo domosdoshmërisht do t’i tërheqin këto pjesë të kontributeve të tyre apo t’i shpenzojnë ato. Në rastin më të mirë, kjo kategori mund të shpenzojë këto sasi të kursimeve në të mira të luksit ku paraja nuk do të mbetej gjatë në Kosovë”, ka thënë Vokrri, duke shtuar se, nëse qëllimi i këtij veprimi të qeverisë do të ishte maksimizimi i efektit të kësaj sasie të re të parasë në ekonomi, atëherë një masë e tillë do të duhej t’i paraprinte një sërë masave të tjera, kryesisht në anën e ofertës, të cilat do ta nxisnin konsumin e prodhimit vendor. “Vetëm në këtë mënyrë paraja do të mund të mbetej më gjatë brenda dhe kësisoj do të prodhonte efekte të dukshme në ekonomi”, u shpreh ai.

Sa i përket mundësisë së krijimit të një “precedenti të rrezikshëm”, të tërheqjes së mjeteve, Vokrri shpreson se qeveritë e ardhshme do të jenë të përgjegjshme dhe nuk do të përdorin këtë precedent si mundësi për t’i joshur kontribuuesit. “Ndryshimet ligjore të parapara me këtë projektligj janë të përkohshme dhe, si të tilla, janë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e recesionit të shkaktuar nga kriza pandemike. Shpresoj se nuk do të kemi nevojë për ndërhyrje të tilla në të ardhmen edhe qeveritë e ardhshme do të jenë të përgjegjshme dhe nuk do të përdorin këtë precedent si mundësi për t’i joshur kontribuuesit duke ua mundësuar tërheqjen e parakohshme të kursimeve të tyre pensionale. Një veprim i tillë do të mund të shndërrohej në barrë sociale që do t’u faturohej gjeneratave të ardhshme”, u shpreh Vokrri.

Ai ka thënë se sa i përket kësaj çështjeje, Kuvendi i Kosovës është para aktit të kryer dhe s’ka kohë për të humbur por, sipas tij, qeveria dhe ministrat e linjës mund të ndërhyjnë përmes masave të ndryshme në funksion të rimëkëmbjes ekonomike. “Kuvendi i Kosovës tashmë është para një akti të kryer ngaqë nuk ka kohë për të humbur. Ky ligj besoj se do të votohet, mirëpo kjo nuk e pengon qeverinë dhe ministritë e linjës që në mënyrë proaktive të ndërhyjnë përmes masave të ndryshme që mundësojnë maksimizimin e efektit të pakos së rimëkëmbjes dhe këtij ligji në ekonomi”, është shprehur ai.

Po ashtu, kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi, ka shprehur skepticizëm lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti. “Si Odë e Afarizmit nuk e shohim këtë mundësi si zgjidhje afatgjatë, si për bizneset, po ashtu edhe për qytetarët. Pasi shuma që do të përfitojnë shumica e qytetarëve do të jetë e vogël 250-400 euro dhe kjo nuk është ndonjë zgjidhje që do t’u ndihmojë shumë atyre. Në këtë rast s’kemi të bëjmë me përkrahje të shtetit, por me vetpërkrahje të qytetarëve. Shteti do të duhej të krijonte përkrahje për qytetarët dhe bizneset për mbajtjen e vendeve të punës dhe për rritje të Fondit për Garantimin e Kredive, që ne kemi kërkuar që të jetë 300 mijë euro dhe që bizneset të kenë mundësi të marrin kredi me norma më të ulëta dhe më pas të investojnë. Fatkeqësisht, shteti është duke dështuar në përkrahje të bizneseve dhe ka dështuar shumë deri më tani. Ende s’ka kaluar as rishikimi i buxhetit dhe kemi një pako emergjente skajshmërisht të vonuar në implementim”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se do të duhej që shteti të interesohej me urgjencë në përkrahje të punëtorëve, sidomos për ata që e kanë humbur vendin e punës dhe jo të merret me këso lojëra për tërheqje të mjeteve nga Trusti. “Kjo do të ketë pasoja në aspektin afatgjatë”, ka thënë Krasniqi.

Njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, i cili është edhe sekretar gjeneral në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste të Italisë, Safet Gërxhaliu, ka apeluar tek institucionet e vendit që të gjejnë modalitete të tjera për rimëkëmbjen ekonomike. “Jemi dëshmitarë që agjenda politike është duke dominuar, por është agjendë e shfrenuar pasi s’ka unitet. Ligjvënësit duhet të jenë unikë rreth ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe në votim të rishikimit të buxhetit”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se ka drojën që do të krijohet një precedent i rrezikshëm dhe se paratë e tërhequra nga Trusti nuk do të shfrytëzohen në mënyrën më ekonomike. “Është precedent që do ta rrezikojë qytetarinë dhe në një vend ku s’ka sundim të ligjit kam drojën që ajo para sërish do të jetë shënjestra për kampanja apo interesa politike. Andaj, kam drojën që nëse vjen deri te ndryshimi i ligjit, paratë e tërhequra do të shfrytëzohen për pushime dhe pagesa pa kontrolle sesa në stabilitet”, ka thënë Gërxhaliu.

Një qytetare nga Prishtina, Gentiana Krasniqi, e cila është e punësuar në sektorin privat, ka thënë se nisma për tërheqjen e kursimeve nga Trusti është e mirëseardhur. “Kjo nismë është e mirëseardhur dhe menjëherë do t’i tërheqë kursimet e mia. I kam rreth 400 euro. Këto mjete do t’i përdorë për nevojat elementare për vete dhe familjen, meqenëse që pesë muaj e kam marrë pagën e përgjysmuar dhe kam për të mbuluar disa shpenzime”, ka thënë Gentiana Krasniqi.

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Instituti-t Riinvest dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK- së”.

(Albulena S. MAVRAJ)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Personi me inicialet S.K. nga Suhareka ka vdekur nga COVID-19.…