Ekspertët e LV-së dhe LDK-së pajtohen që Qeveria e re t’i ketë vetëm 12 ministri
Ka përfunduar takimi i ekspertëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për harmonizimin e programit qeverisës.
Pas këtij takimi, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja ka bërë me dije se zyrtarët e Vetëvendosjes kanë diskutuar për numrin e ministrive që do t’i ketë Qeveria e ardhshme.
Ai ka thënë se janë dakorduar që Qeveria e re t’i ketë vetëm 12 ministri. Në ketë kontekst, ai ka thënë se Ministria e Diasporës dhe ajo e Integrimit Evropian do të shkrihen në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“Ne sot dakorduam agjendën e takimeve për dy javët e ardhshme dhe kjo agjendë synon të orientohet drejt termave të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, të arsimit, shëndetësisë, rendit e ligjit dhe politikës së jashtme. Në veçanti sot kemi diskutuar për formatin e Qeverisë se ardhshme, për 12 ministritë se si do të dukën ato dhe se si do të fuzionohet ato në ditët e para të Qeverisë. Takimi i ardhshëm mbahet të hënën në orën 15:00 në zyrat e LDK-së, dhe çdo tre ditë pas takimeve do të ketë takime vijuese në mes të dy subjekteve politike”.
“Shkrirjen e agjencive nuk e kemi diskutuar ende, por kemi folur që një pjesë e madhe e agjencive do të bëhen pjesë e ministrive përkatëse. Pra ato ku kanë qenë të pavarura të futën brenda ministrive. Për bashkim të ministrive, për shembull kemi bërë fuzionimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Integrimit Evropian dhe Diasporës në Ministri të Punëve të Jashtme dhe Integrime Evropiane. Ministritë e zhvillimit ekonomik i kemi propozuar në disa kategori të cilat si skenar final i propozohen liderëve tonë politikë. Pra ajo që është me rëndësi kemi punuar në 12 ministri me nga 2 zëvendësministra për secilën ministri”, ka thënë Abdixhiku, raporton “Epoka e re”.
Ai ka thënë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të vazhdojë të jetë ministri e veçantë, sikurse ka qenë deri më tani.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se janë pajtuar që t’i shpeshtojnë takimet e ekspertëve për harmonizimin e programit qeverisës.
Ai ka thënë se nuk kanë folur për afatet kohore për finalizimin e marrëveshjes në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Ndërsa duke iu referuar përfshirjes ose jo të Listës Serbe në Qeveri, Abdixhiku ka përmendur Kushtetutën e Kosovës, por thënë se nuk pranojnë kushtëzime nga askush në raport me ekzekutivin e ri.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/kosovapress/videos/449203695711303/