Ekspertët ndërkombëtarë, Philips dhe Serwer: Greqia me shumë gjasa do ta njohë pavarësinë e Kosovës
Ekspertët e politikave ndërkombëtare thonë se nuk presin që pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, të ndryshojnë qëndrim, përveç Greqisë, e cila ka gjasa të ndryshojë qëndrimin.
Ata thonë se duhet të pritur derisa të përfundojë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që të shihet pozicioni i këtyre shteteve të BE-së.
Ekspertët e politikave ndërkombëtare, David Phillips dhe Daniel Serwer, thanë për Televizionin Dukagjini se nga pesë shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës, Greqia ka gjasa të ndryshojë qëndrim.
“Greqia ka shumë të ngjarë të njohë Kosovën. Muri i krijuar nga 5 shtetet mosnjohëse do të shembet së shpejti, pasi Greqia ose ndonjë vend tjetër të vendosë ta njohë Kosovën. Greqia propozoi në ‘Agjendën 2014’ për thellimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Megjithëse unë shpresoj që Greqia do të ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës, ne nuk mund të injorojmë lidhjet e ngushta të saj me shtetin serb, këtë të fundit Greqia e mbështet fuqishëm që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, tha Phillips, transmeton Telegrafi.
“Në veçanti Greqia duket më e parashikueshme se të tjerat shtete. Sigurisht që çdo marrëveshje e statusit përfundimtar midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të sjellë njohje nga pesë shtetet mosnjohëse. Por, unë nuk e shoh që kjo të ndodhë shpejt”, ka thënë Serwer.