Ekspertët: Vala e dytë e koronavirusit nuk do të jetë e fortë sa e para
Fazat lehtësuese që janë marrë së fundi nga të gjitha qeveritë pas pandemisë së Covid-19, në të vërtetë kanë risjellë shqetësimin se mund të jemi të prekur ose mund të rrezikohemi nga një valë e dytë e pandemisë. Aktualisht, në vendin tonë, shifrat e të prekurve të ditëve të fundit kanë qenë shqetësuese dhe në rritje. Po a është kjo vala e dytë e pandemisë? A do të jetë ajo më e rrezikshme se e para?
Frika e një vale të dytë të sëmundjes vazhdon të jetë e pranishme, e përforcuar edhe nga paralajmërimet e autoriteteve shëndetësore nëpër botë, që e presin mbërritjen e saj në vjeshtë. Megjithatë, disa ekspertë në Itali, shohin pak dritë në fund të tunelit. Presidenti i Këshillit Superior të Shëndetësisë në vendin fqinj, Franco Locatelli, deklaroi se me shumë gjasa, vala e dytë do të jetë më e butë se e para.
“Duhet të jemi të përgatitur për mbërritjen e një vale të dytë të infektimeve, e cila, nëse do të vijë vërtet, nuk besoj se do të ketë për çdo rast, përmasat dhe fuqinë e së parës”,- tha Locatelli.
Deklarata e tij vjen në kohën kur Universiteti “John Hopkins” në Amerikë njoftoi se në botë u kapërcye niveli i 7 milionë të infektuarve. Në Itali ndërkohë, fondacioni “Gimbe” ka dhënë alarmin, sepse në rajonet ku virusi qarkullon më shumë, po bëhen më pak tampone.