Eksperti amerikan: Koronavirusi mund të rikthehet më fuqishëm

27 mars 2020 | 08:39

Eksperti kryesor i qeverisë amerikane për sëmundjet infektive paralajmëroi se shpërthimi i tanishëm i koronavirusit mund të bëhet ciklik dhe të rikthehet më fuqishëm herën e dytë nëse nuk bëhen përgatitje të mjaftueshme për ta parandaluar.

Ai i bëri komentet të mërkurën në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha se provat që virusi mund të bëhet ciklik dhe të rikthehet po shfaqen në hemisferën jugore.

“A do të kthehet kjo ndoshta në diçka ciklike, sezonale? Gjithmonë kam shprehur mendimin se kjo ka shumë mundësi të ndodhë. Sepse kemi filluar të shohim në Afrikën Jugore dhe në vendet e hemisferës jugore shfaqjen e rasteve me koronavirus, e këto zona kalojnë në stinën e tyre të dimrit”, tha eksperti imunolog.

Dr. Fauci tha se mundësia e rikthimit të virusit e bën më të rëndësishme se kurrë që studiuesit të vazhdojnë të punojnë për një vaksinë të re, për të qenë të përgatitur.

“Çfarë do të thotë kjo për ne? Kjo thekson nevojën për të bërë atë që po bëjmë për zhvillimin e një vaksine, testimin e saj të shpejtë për ta pasur gati për ciklin tjetër. Përveç kësaj, të kemi një listë barnash që kanë treguar se janë të efektshme dhe të sigurta”.

Për shumicën e njerëzve, koronavirusi i ri shkakton simptoma të buta, si ethe dhe kollë që shërohen për dy deri në tri javë.

Tek disa, veçanërisht të moshuarit dhe njerëzit me probleme të tjera shëndetësore, ai mund të shkaktojë sëmundje më të rënda, si pneumoni dhe vdekje. /VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të rikthehen në punë…