Eksperti amerikan kritikon Kurtin për ambasadën në Izrael: Po bën gabim të madh duke i premtuar Erdoganit
Eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir, ka kritikuar liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, pasi ditë më parë ky i fundit ka thënë se do ta shqyrtojë vendosjen e Ambasadës në Izrael, pas thirrjeve të presidentit turk, Erdogan për një gjë të tillë.
Ben Meir në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Kurti po bën një gabim shumë të madh, duke lavdëruar Erdoganin, të cilin ai e ka quajtur një diktator të pamëshirshëm.
“Albin Kurti po bën një gabim të madh duke respektuar Erdoganin, një diktator i pamëshirshëm që është i vendosur të përhapë agjendën e tij islamike në të gjithë Ballkanin”, ka shkruar ai.
Ben Meir ka thënë se premtimi ndaj Turqisë se ”vendi ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael duhet të mendohet” është një mesazh i qartë ku qëndron Kurti, kur bëhet fjalë për strategjinë gjeopolitike. “Ky është një hap i gabuar”, ka thënë eksperti amerikan, duke i treguar Kurtit se si duhet ta luftojë korrupsionin.
“Në vend të kësaj, Kurti duhet të kërkojë një hetim mbi kontratat e dyshimta që ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nënshkroi, të cilat i dhanë Erdoganit kontrollin mbi pasuritë kryesore të shtetit. Nëse Kurti me të vërtetë dëshiron të luftojë korrupsionin, ky është shansi i tij për të filluar”, ka thënë Ben Meir.