Eksperti amerikan: Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi u bllokua nga Merkeli
James Hooper, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit dhe ekspert me përvojë i Ballkanit, ka thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të mos ta ketë elementin e territorit.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Hooper ka deklaruar se ka qenë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri Ramush Haradinaj, që bllokuan shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi që ishte negociuar nga presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.
“Presidentët Thaçi dhe Vuçiq po negocionin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe arsyeja që ajo dështoi ishte në fakt jo se serbët dhe shqiptarët nuk mund të binin dakord, në fakt ishin shumë pranë marrëveshjes. Sigurisht duheshin sqaruar disa detaje por në përgjithësi, për konceptin e përgjithshëm kishin rënë dakord. Problemi ishte se populli i Kosovës nuk donte të pranonte një shkëmbim territori si pjesë të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse. Po ashtu as Gjermania, zonja Merkel nuk donte ta pranonte dhe kështu e bllokoi. Unë e kuptoj shumë mirë ndjeshmërinë që mund të kenë gjermanët për paprekshmërinë e kufijve dhe territorit që vijnë nga Lufta e Dytë Botërore dhe Lufta e Ftohtë, por kjo nuk funksionon në Ballkan, atje është ndryshe”, ka deklaruar eksperti amerikan.
Hooper ka thënë se situata e krijuar kërcënon stabilitetin dhe se Shtetet e Bashkuara e kanë vullnetin të angazhohen por duan të shohin perspektivën për një zgjidhje.