Eksperti i kibernetikës: VV-ja po investon në rrjete sociale, janë hapur shumë llogari false
Lëvizja Vetëvendosje (LV-ja) po del triumfuese në çdo sondazh në media dhe rrjete sociale. Ky triumf i saj nga ekspertët e rrjeteve sociale po shihet si investim i madh nga partia.
Udhëheqësi i Komunitetit për Siguri Kibernetike dhe Privatësi (CSP), Mentor Hoxhaj, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se LV-ja gjatë viteve të fundit në mënyrë të vazhdueshme ka bërë investime në rrjete sociale. Ai ka thënë se prapa këtyre janë angazhuar një numër i madh i njerëzve të cilët e njohin këtë fushë.
“Fokusi i VV-së është i madh. Momentalisht ata janë duke investuar në rrjetin social ‘Facebook’ si opinionbërës. Zakonisht para zgjedhjeve kemi parë që ka rritje të madhe të faqeve dhe grupeve dhe llogarive në ‘Facebook’”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se VV-ja ka angazhuar njerëz profesionistë në menaxhimin e rrjeteve sociale. “Pavarësisht se cilado parti që është në këtë rast kemi VV-në e cila gjatë viteve të fundit në mënyrë të vazhdueshme ka bërë investime të duhura në këtë drejtim dhe, kur flasim për investime të duhura, flasim për investime në kapacitetet njerëzore apo teknike dhe ngritje të audiencës. Normalisht se rolin kyç në këtë drejtim e kanë njerëzit dhe profesionistët apo ata të cilët e njohin këtë fushë dhe ne mund të konstatojmë se VV-ja ka angazhuar apo ka në mesin e vet një numër të madh të njerëzve të cilët e njohin këtë fushë mjaft mirë”, ka shprehur mendimin Hoxhaj.
Hoxhaj është shprehur se me një pajisje një person mund të ketë dy llogari në rrjetin social “Facebook”. “Me anë të një pajisje mund të kesh dy llogari. Nëse keni 50 persona nga dy pajisje, do të keni diku 100 llogari në rrjetin social ‘Facebook’ apo në secilin rrjet tjetër social”, ka treguar Hoxha. Sipas tij, në rastin e Vetëvendosjes kemi një organizim të strukturuar mirë.
“Çdo medie dhe çdo parti politike ka audiencën e saj dhe audienca e saj në këtë drejtim reagon konform objektivave apo pëlqimeve të tyre politike, duke hapur një numër të madh të faqeve dhe të grupeve shohim se këtu kemi një investim të madh dhe organizim të strukturuar mjaft mirë nga VV-ja”, ka treguar Hoxhaj.
Mes të tjerash, ai ka thënë se gjatë kohës së pandemisë janë hapur një numër i madh i llogarive të rreme, të cilat janë përdorur për interesa partiake apo për përfitime.
“Në fillim të pandemisë kemi një numër enormë të faqeve që janë hapur dhe një numër enormë të llogarive ‘fake’ që janë hapur dhe të cilat janë duke u shfrytëzuar për qëllime të ndryshme politike, përfitime dhe inteligjence”, ka njoftuar Hoxhaj.
Sipas tij, 100 mijë klikime mund të blihen me një shumë të vogël parash. “Teorikisht ju mund t’i blini edhe 100 mijë klikime me një shumë të vogël dhe ne në të ardhmen, nëse do të kemi investime nga cila do medie, mund të bëhet një testim i tillë për ta arritur numrin e shikueshmërisë dhe në asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar këtë. Të gjitha partitë politike duhet të jenë të sakta në këtë drejtim sepse tentojnë ta bëjnë organizimin e militantëve të tyre për të bërë pëlqime apo ‘share’. Ky nivel i organizimit është i ulët në relacion me nivelin e organizimit që ekziston momentalisht”, ka treguar Hoxhaj.
Ai ka thënë se audienca e VV-së arrin në 30 milionë dhe një audiencë e tillë është e mirorganizuar për shpërndarje. “Ne shohim dhjetëra faqe të VV-së. Janë disa grupe të fuqishme dhe nëse flasim teorikisht, kur kemi 10 faqe nga 300 mijë njerëz, teorikisht flasim për një audiencë e cila kalon 30 milionë dhe po flasim për një audiencë të organizuar mirë, pavarësisht nga është ajo audiencë dhe për një shpërndarje të mirë”, ka folur Hoxhaj.