Eksperti i komunikacionit tregon si ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën kadetit policor
Në rigjykimin ndaj dy të akuzuarve Arton dhe Nezir Duraku, të cilët akuzohen për shkaktimin e aksidentit fatal dhe mosdhënie të ndihmës viktimës F.Sh., eksperti i komunikacionit Kreshnik Rugova thotë se shkaktari i aksidentit kishte qenë vozitësi i cili ka drejtuar kamionin në anën e kundërt të qarkullimit dhe me shpejtësi shumë më të madhe se sa ishte e lejuar.
Eksperti Rugova tha se në përfundim të ekspertizës kishte konstatuar se aksidenti kishte ardhur si pasojë e lëshimeve të drejtuesit të kamionit A, (i akuzuari Arton Duraku) të markës “Mercedes Atego”, i cili sipas tij kishte ngasur automjetin në mënyrë të pasigurt, të paregjistruar, si dhe pa patentë shoferë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nëse nuk e merr parasysh faktin se një automjet tjetër ishte përballë tij në shiritin e vet qarkullues, i njëjti në mënyrë të pasigurt dhe të menjëhershëm bënë veprime duke mos e përshtatur shpejtësinë dhe mënyrën e lëvizjes për kushtet gjendjen e rrugës, gjendjen e mjetit dhe rrethanat e tjera në rrugë, dhe në momentin kritik rimorkrio i shkëputet nga mjeti dhe kalon në të majtë dhe e njëjta rimoriko përplasët me pjesën e parë ballore të automjetit të tipit” Opel” S93, duke i shkaktuar lëndime fatale ngasësit të automjetit”, tha eksperti Rugova.
Sipas tij, kjo mënyrë jo e rregullt e ngasjes së drejtuesit të automjetit A të tipit “Mercedes Atego”, ka rezultuar dhe ndikuar në shkakun e aksidentit.
Tutje, eksperti Rugova tha se duke u bazuar në analizat që kanë bërë me programe kompjuterike, duke e simuluar dhe rikonstruar ngjarjen, kishin ardhur në përfundim se shpejtësia e lëvizjes së mjetit A, kamionit me rimorkio kishte qenë më shumë se 90 km/h, ndërsa kufizimi i shpejtësisë së lejuar në atë zonë ishte 50 km/h, duke shtuar se shpejtësia e automjetit B, të tipit “Opel” S93, para aksidentit kishte qenë rreth 46 km/h.
“Është sqaruar shumë mirë në raportin e policisë, të cilët me të drejtë ka konstatuar se pika goditëse është në shiritin qarkullues të automjetit B, apo figurativit mund të them se në mes të shiritit qarkullues të automjetit B, saktësisht 1.3 metra nga cepi i djathtë i rrugës shikuar në drejtim të lëvizjes së automjetit B”, tha eksperti Rugova.
Ai shtoi se bazuar në raportet e policisë dhe skicës së vendit të ngjarjes, automjeti B, kishte lënë gjurmë të frenimit apo të bartjes në një distancë prej 5.3 metra deri në pikën e goditjes, ndërsa mjeti A, në raportet e tyre nuk figuronte që të ketë pasur shenja të frenimit apo të bartjes.
Eksperti më pas tha se kishte konstatuar se ngasësi i mjetit A, mund ta kishte vërejtur mjetin B, që ishte përballë tij në shiritin e vet qarkullues, nga një distancë prej 80 deri në 120 metra po që s’do ta kishte vëmendjen e shtuar në rrugë.
Lidhur me pjesën e rimorkios të cilën është goditur automjeti B, eksperti tha se është konstatuar se është pjesa e parë e majtë e rimorkios e cila ishte e ngjitur prapa mjetit A, e cila është vërtetuar pas analizës në detaje dhe hetimeve profesionale, e cila ka gjetur pjesën e shkëputur nga rimorkio e cila është përputhur në pjesën në të cilën ishte goditur automjeti B.
Ai shtoi se është e mundur dhe ishte e vërtetuar se në momentin e aksidentit mjeti A, ishte me tentim për kthimin në shiritin e vet qarkullues.
Pas ekspertit Rugova, seanca ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitari Faton Berisha, zyrtar policor, i cili tha se kishte dëgjuar për aksidentin në fjalë, mirëpo nuk kishte dal në vend të ngjarjes.
Ai tha se të akuzuarin Nezir, e kishte marrë nga Qendra e Ndalimit në Pejë, për ta dërguar në Gjykatën e Klinës, si dhe e kishin kthyer sërish.
Gjatë transportit dëshmitari tha se kishte ndodhur një bisedë spontane me të akuzuarin pasi që ata nuk ishin të autorizuar ta merrnin në pyetje, mirëpo i kishin parë disa shqetësime tek ai.
“Pasi e kam vërejt, e kam pyetur se a ka nevojë për diçka, por Neziri ka thënë ‘jo bre, por rasti që ka ndodh’. Në ato momente e kam pyetur se pse nuk jeni ndal me shiqu a është gjallë apo jo, Neziri më tha se ka dal, ‘jam afruar te vetura, e kam parë personin në veturë ka qenë si i kthyer në krah’, edhe tha se e ka dëgju se e ka thënë një fjalë “oj nanë”, dhe s’ka fol ma. Edhe ma tha se është larguar prej aty për shkak se Artoni ka qenë në gjendje të keqe i shtritë në rrugë dhe nga tuta se s’ka ditë se si të veprojë”, tha dëshmitari Berisha.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Arton Duraku, avokati Shefqet Ibrahimi, me anë të një parashtrese kishte propozuar që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen ekspertët Arsim Gërxhailu, si përpilues i raportit të autopsisë, eksperti i makinerisë Abdullah Hoxha, si dhe eksperti i komunikacionit Nol Dedaj, propozim ky i cili u kundërshtua nga prokurori Ersan Qavolli dhe nga përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar avokati Salih Mekaj, mirëpo u aprovua nga kryetari i trupit gjykues Shaqë Curri, dhe seanca u ndërprit për të vazhduar me dëgjimin e ekspertëve në seancat e radhës.
Ndryshe, në gjykimin e parë dy të pandehurit ishin dënuar me 15 vjet burgim (së bashku) nga Gjykata Themelore e Pejës.
Vendimin e shkallë së parë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, kishte miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarve Duraku ashtu që aktgjykimi i Themelores, dhe ai i Apelit ishin anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim të shkallës së parë.
Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.
Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundër qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.
Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 par. 5 lidhur me par. 1 te KPRK-së.
Ndërkaq, tutje në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe vepër penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374 par. 3 të KPRK-së.
Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkonte se në ngjarjen e përshkruar si më lart nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejt edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madhë për vete apo tjetrin.
Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktime, por nuk i ofrojnë ndihme dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.
Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale “Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188 par.4 i KPRK-së.