Eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin nis dëshminë në rastin e liderëve të UÇK-së

13 janar 2025 | 11:15

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 111-të i Zyrës ë Prokurorit të Specializuar (ZPS), eksperti i mjekësisë ligjore, William Goodwin (i cili mbanë kodin W04875), në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari pohoi se ka përgatitur një raport më 22 shtator 2021 dhe sipas tij, ky raport përfshinë opinionin e tij të pavarur në pyetjet që ia parashtroi ZPS-ja në letrën udhëzuese së bashku me dokumentet përkatëse që e kishte marrë më 30 korrik 2021.

Sipas prokurorit James Pace, ky është një raport i ADN-së për një person të cilit nuk iu tha emri në seancë të hapur. Si rrjedhojë, prokurori lexoi një pjesë të raportit të këtij dëshmitari.

“Në raportin tuaj thuhet se profili i ADN-së është i kriptuar që kufizon mundësinë për rishikim ë plotë. Megjithatë, bazuar në pjesëtarët e familjes që janë të disponueshem dhe leukocitet që përputhen, gjasat e përputhjes dhe probaliteti i identitetit duken të arsyeshme”, tha prokurori.

Për këtë gjë, dëshmitari tha se nuk ka asgjë për të ndryshuar në këtë pjesë.

Dëshmitari pohoi se pas udhëzimeve të ZPS-së, ka përgatitur një raport tjetër më 6 mars 2023.

Sipas kryetari të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij eksperti pritet të zgjasë një ditë. Nga kjo kohë, prokuroria ka parashtruar se i duhen një orë ndërsa mbrojtja rreth katër orë e gjysmë.

Vlen të theksohet se gjatë fillimit të seancës kishte probleme teknike në qasjen e transmetimit. Pas kësaj, një pjese të seancës i mungoi përkthimi në gjuhën shqipe sidomos kur u lexua një pjesë e raportit

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Betimi për Drejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Elmi…