Eksperti i sigurisë: Gjendja e jashtëzakonshme, vendim i duhur
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për shkak të situatës së krijuar me pandeminë Covid-19.
E që shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, është vendim i duhur, e thotë edhe eksperti i sigurisë Drizan Shala.
Ai për KosovaPress, ka theksuar se kjo shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme nuk do të bëhet siç ishte planifikuar në muajin mars, por që do të jetë me masa restriktive ku qytetarët do të obligohen të përdorin masat mbrojtëse si maskat dhe dorezat.
“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nga Qeveria Hoti është një veprim i duhur duke e pasur parasysh numrin e rasteve që është duke u rritur dita ditës në Kosovë, kjo gjendje e jashtëzakonshme nuk duhet të nënkuptohet një gjendje e jashtëzakonshme e stilit klasik i cili është planifikuar të bëhet në muajin mars, por është një shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme duke e shfrytëzuar legjislacionin në fuqi, duke mos krijuar me vendimin shkelje kushtetuese e cila ka ndodhur në të kaluarën, por kjo shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme të jetë me masa restriktive ku qytetarët do të obligohen që të përdorin masat mbrojtëse si maskat dhe dorezat. Njëkohësisht inspektorët të dalin në teren dhe të bëjnë monitorimin e atyre masave që i ka parapa qeveria”, thotë Shala.
Shala po vlerëson se me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, monitorimi i situatës do të jetë më i lehtë, duke e pasur parasysh që do të aktivizohet edhe FSK.
“Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, është mirë sepse numri i personelit që do të angazhohet do të jetë shumë më i madh dhe monitorimi do të jetë më i lehtë, duke e pasur parasysh që do të aktivizohet edhe FSK e cila mund të mbulojë bashkërisht me Policinë, territorin e Kosovës dhe mund të vihet deri te ndalja e rritjes së personave të cilët janë të infektuar me Covid-19”, thotë ai
Për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, kryeministri Hoti, ka marrë dhe përkrahjen e kryetarëve të komunave, me të cilët ka pasur të shtunën një takim virtual.