Eksperti i sigurisë: S’mund të shpallet orë policore pa gjendje të jashtëzakonshme
Derisa po vazhdon mosmarrëveshja midis presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për këtë çështje kanë reaguar edhe ekspertët e sigurisë në vend
Eksperti i çështjeve të Sigurisë, Agim Musliu, është shprehur se nuk mund të shpallet orë policore nëse nuk ka gjendje të jashtëzakonshme, masë kjo e para e cila i është kërkuar kryeministrit Kurti që t’i propozojë qeverisë si masë shtesë kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.
Sipas Musliut, ora policore është pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme, ku hyjnë në funksion FSK-ja, Policia, Doganat, Shërbimet Emergjente dhe Shërbimet Sekrete.
“Nuk mund të shpallet orë policore nëse nuk shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Ora policore është pjesë e gjendjes së jashtëzakonshme. Në aspektin e gjendjes së jashtëzakonshme hyn në funksion FSK-ja, Policia, Doganat, Shërbimet Emergjente, Shërbimet Sekrete, kurse përkufizimi i lirisë është diçka tjetër”, ka thënë Musliu në një intervistë televizive për RTK.