Eksperti kinez: Nëse Amerika nuk kontrollon përhapjen e Covid-19, pasoja shkatërrimtare për të gjithë botën
Një nga ekspertët më të shquar kinezë mbi koronavirusin ka vënë në dyshim aftësitë e qeverisë amerikane për të luftuar pandeminë.
Epidemiologu Zhong Nanshan tha se është i shqetësuar rreth asaj që mund të ndodhë në SHBA, duke shtuar se “problemi i Amerikës do të kthehet në problem të të gjithë botës”.
Ai paralajmëroi për pasoja të rënda në të gjithë botën nëse virusi vazhdon të përhapet me të njëjtat ritme dhe i bëri thirrje autoriteteve amerikane që të shtrëngojnë më tej masat e karantinës.
Sipas mediave kineze, Nanshan tha: “Jam i shqetësuar për faktin se në disa vende të huaja, virusi po përhapet shumë shpejt. Ka rreth 10 000 raste në ditë dhe ky është problem i madh sepse krijon një peshë të papërballueshme për sistemin shëndetësor dhe çon në një rreth vicioz në vendet që po përpiqen të kontrollojnë krizën. Sidomos në vendet e mëdha, nëse nuk kontrollohet menjëherë përhapja, ka pasoja shkatërrimtare për të gjithë botën pastaj. Asnjë vend nuk do të jetë i sigurt më pas. Kjo gjë më shqetëson më shumë”.