Eksperti më i mirë: Nuk mund të supozojmë se moti i ngrohtë e ngadalëson koronavirusin
Eksperti më i mirë i koronavirusit në ShBA ka paralajmëruar se shpërthimi COVID 19 mund të mos ngadalësohet nga moti i ngrohtë dhe se virusi vdekjeprurës mund të operojë gjatë gjithë verës. Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, imunologu i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Anthony Fauci, potencoi se rastet e viruseve ekzistuese të dimrit, si gripi, shpesh fillojnë të bien me rritjen e temperaturave. Mirëpo, duke iu referuar këtij virusi, ai tha se nuk dihet nëse do të shpëtojmë nga një ndryshim i motit. “Ju duhet të supozoni që virusi nuk do të ndalet, mirëpo nëse moti e parandalon atë, atëherë do të jetë mirë për ne. Mirëpo nuk mendoj se duhet ta supozojmë këtë”, tha ai.
Fauci u shpreh se pajtohet me analizat e reja që pretendojnë se shpërthimi i koronavirusit në Amerikë filloi në muajin shkurt në New York. I njëjti studim thoshte se diagnoza e koronavirusit në ShBA është “ushqyer” kryesisht nga njerëz të infektuar që udhëtonin nga Evropa sesa nga Kina. “Ndoshta është e saktë. Evropa u bë epiqendra e re shumë shpejt pasi Kina shpërtheu me rastet e saj”, ka shtuar ai.