Eksperti që mbështet Kosovën në bisedime distancohet nga qëndrimi i Bislimit për arkivat
Robert Muharremi, pjesë e grupit të ekspertëve që mbështesin delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel, thotë se personalisht distancohet nga qëndrimi i delegacionit të Kosovës për arkivat dhe përfshirjen e UÇK-së në diskursin për personat e zhdukur.
“Si pjesëtar i grupit të ekspertëve në mbështetje të delegacionit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, personalisht dhe profesionalisht distancohem nga qëndrimi i delegacionit lidhur me arkivat dhe përfshirjen e UÇK-së në diskursin për personat e zhdukur”, ka shkruar Muharremi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai thotë se deklaratat e fundit të zëvendëskryeministrit Bislimi, kanë dëmtuar përpjekjet paraprake të delegacionit të mëhershëm që në asnjë mënyrë UÇK-ja të mos përfshihet në diskursin rreth personave të zhdukur.
“Deklaratat e fundit kanë dëmtuar përpjekjet e delegacionit të mëparshëm që UÇK-ja të mos përfshihet në asnjë mënyrë në diskursin rreth personave të zhdukur”, ka shtuar tutje ai.
Muharremi thotë se hapja e arkivave të UÇK-së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e palës serbe, me qëllim të barazimit të UÇK-së me Serbinë.
“Hapja e arkivave të UÇK-së ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Serbisë për të ndryshuar narrativen e ‘fajtoreve’ për personat e zhdukur dhe për ta barazuar UÇK-në me Serbinë. Nuk është me rendësi se si dhe në çfarë konteksti është bërë deklarata, por efekti i saj, i cili tani ka përfshirë edhe UÇK-së si pjesë të problemit”, ka shtuar tutje.
Në fund Robert Muharremi ka thënë se një gjë e tillë është e dëmshme për Kosovën duke pasur parasysh proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë kundër UÇK-së, dhe thotë se për këtë arsye distancohet nga ky proces.
“Kjo është e dëmshme dhe me pasoja për Kosovën, marrë parasysh edhe proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë kundër UÇK-së, dhe për këtë arsye distancohem nga ky proces”, ka përfunduar Muharremi.
Besnik Bislimi dje ka deklaruar se Serbia është pajtuar për hapjen e arkivave, përfshirë edhe arkivat e Kosovës për UÇK-në. Sipas tij kjo është edhe në favor të Kosovës. Deklarata e Bislimit ka nxitur reagime të shumta dje dhe sot.