Ekspertit amerikan s’i pëlqen drafti i Ramës për Kosovën
Daniel Serwer, ekspert i marrëdhënieve me ShBA-në, ka folur rreth draft-statusit të propozuar nga kryeministri Rama për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për mënyrën se si ka ndikuar ai.
Profesori Serwer, i ftuar në emisionin “Review” në “Euronews Albania”, tha se propozimi i këtij draft-statusi nga ana e kryeministrit shqiptar nuk ishte i drejtë, madje ai tha se ish-kryeministri Berisha kishte të drejtë kur thoshte se ky ishte një veprim i gabuar.
“Ky është një komplikacion që nuk ishte i nevojshëm, i bën gjërat edhe më të vështira për Albin Kurtin. Mendoj se ish-presidenti Berisha ka të drejtë. Kjo është një ndërhyrje e panevojshme, e cila cenon prestigjin e Kurtit dhe nuk e zgjidh problemin.
Tashmë është e nevojshme që Kosova të vijë me një propozim, mesa e kam kuptuar, kryeministri Kurti e ka cilësuar të pamundur modelin e propozuar në Kroaci.
Ai duhet të vijë dhe të dalë me një propozim i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, megjithatë mendoj se është e nevojshme të vijë diçka nga Prishtina, jo nga Beogradi apo nga Edi Rama”, tha Daniel Serwer.