Ekspertiza në rastin Dehari, dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli atij të drejtën në jetë dhe gjykim të drejtë
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i konsideron serioze të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë sa i përket rrethanave të humbjes së jetës së Astrit Dehari, ish aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Fakti që institucionet e Kosovës nxituan të nxjerrnin konkluzione që janë plotësisht në shpërputhje me të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë është tejet shqetësuese, dhe rast për hetim te thellë jo vetëm të rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit por edhe të vet prokurorëve, policëve e zyrtarëve tjerë shtetëror të Republikës sonë që me kaq shumë lehtësi e cilësuan rastin si vetëvrasje. Dëshirojmë të theksojmë që të gjeturat e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë dëshmi që shteti i Kosovës i shkeli Astrit Deharit të drejtën në jetë, duke mos i dhënë mbrojtje minimale në kohën sa ai mbahej në paraburgim”, është thënë në reagimin e GLPS-së.
“Arsyeja e mbajtjes së tij në paraburgim e cila shoqërohet me faktin që ai ishte aktivist i një partie politike në opozitë e shton edhe më shumë përgjegjësinë e shtetit në raport me pasojën e prodhuar. Gjithashtu, dështimi i organeve të ndjekjes penale, dhe nxitimi i tyre në cilësimin e rastit, është tregues i një papërgjegjësie dhe qëllimit kriminal. Asgjë më shumë sesa një e vertetë e validuar me fakte të mjekësisë ligjore nuk i duhej publikut dhe familjes Dehari, por mënyra si veproj Prokurori i Shtetit dhe njësitë tjera shtetërore e demonstruan pikërisht të kundërtën”.
GLPS-ja kërkon që rrethi i hetimit të kësaj çështjeje të zgjerohet, duke përfshirë të gjithë zyrtarët shtetërorë (përfshirë prokurorë, policë e mjekë ligjor) të cilët kontribuan në cilësimin e rastit dhe nxjerrjen e një konkluzioni hetimor që sot del të ketë qenë i pambështetur në fakte e prova shkencore e kriminalistike. “Vetëm sjellja para drejtësisë e tërë zingjirit që e sollën këtë situatë mund të sanoj pasojën e krijuar. Thirrjet për hetim të rastit nga shtete të huaja nuk duhen të shërbejnë si metodë për heqje të përgjegjësisë, përkundrazi është koha që me asistencën e huaj prokurorë vendor të jenë ata që i dalin ballë krimit që ka ndodhur në këtë rast”, është thënë në këtë reagim.
/Epoka e re/