
Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare: Vendimet e Speciales do ta ngjyrosin veprimtarinë e luftës dhe pavarësisë së Kosovës
Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare penale dhe të drejtave të njeriut, Rudina Jasini, ka thënë se vendimet që do të merren në Gjykatën Speciale në Hagë “pa diskutim” do t’i “ngjyrosin veprimtarinë e luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe pavarësisë”.
Ligjëruesja seniore e Universitetit të Oxfordit është pjesë e grupit mbrojtës në çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka thënë në “Public Square” të Ditmir Bushatit se në vitin 2017, kur mbante një ligjëratë në Kosovë, ishte shokuar se sa pak dihej “se çfarë po vinte”.
“Unë kam mbajtur një ligjëratë në Kosovë në vitin 2017 dhe jam shokuar se sa pak dihej nga juristët e Kosovës, gjyqtarë, prokurorë aty – të Shqipërisë po e po – lidhur me atë se çfarë po vinte. Pra, nuk ishte kuptuar mjaftueshëm që një ndryshim i Kushtetutës dhe krijimi me ligj një institucioni ‘sui generis’ gjyqësor do të ngjyroste, dhe këtë e them me bindje, që vendimet që do të merren, pa diskutim që ngjyrosin veprimtarinë e UÇK-së, sepse kjo çështje përfshin të gjitha zonat operative të UÇK-së, nga fillimi në janar 1998 deri në dhjetor 2000. Pra, ngjyros, si rezultat veprimtarinë e luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe të pavarësisë së Kosovës. Pra, nuk mund të jemi… kërkon më shumë vizion dhe largpamësi, këtë dua të them, dhe që unë e shikoj të munguar në të dyja anët, si në Kosovë, edhe në Shqipëri”, ka thënë ajo.
Jasini ka thënë se Gjykata Speciale tani nuk ka se si të zhbëhet, kur është pyetur në lidhje me komentet lidhur me një tërheqje të mundshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga mbështetja ndaj kësaj gjykate.
“Do të ishte një dëmtim shumë i madh në qoftë se një institucion gjyqësor, pavarësisht nëse biem apo jo dakord me ekzistencën e tij do të mbyllej dhe s’ka se si të mbyllet me thënë të drejtën, sepse është jo vetëm institucioni, por procesi, individët, është një investim kolosal i ngritur mbi bazën e parimeve shumë të rëndësishme të drejtësisë. Pra, dëmtimi shkon përtej faktit, për arsye se mund të ishin interesa nacionaliste, të brendshme të Kosovës, e të gjitha, por ky është një angazhim ndërkombëtar që e ka marrë Kosova njëherë. Këtë e ka krijuar shteti i Kosovës. Është krijuar me ligj nga Parlamenti i Kosovës. De jure ky është institucion i Kosovës dhe vetëm institucioni ose shteti i Kosovës ka të drejtën të ndërmarri çfarëdolloj hapi që ata e shohin të arsyeshme për ta kufizuar apo jo aktivitetin e kësaj gjykate. S’mundet kurrsesi një shtet i jashtëm. Po flas në parim, do të më dukej absurde të tolerohej një veprim kaq drastik dhe unë do të thoja i pakonceptueshëm, me thënë të drejtën. Dëmtimi do të ishte kolosal”, ka thënë ajo.
Profesoresha e komentoi edhe pozicionin e Shqipërisë në këtë çështje, e cila fillimisht e kishte mbështetur kirjimin e kësaj gjykate, ndërsa më pas kishte ndërmarrë një iniciativë në Këshillin e Europës për rishikimin e mbështetjes ndërkombëtare për të. Ajo iniciativë, sipas Jasinit ishte “shumë e vonuar”.
“Lidhur me iniciativën që ju përmendët, ishte një iniciativë shumë e vonuar në proces. Unë mendoj se Shqipëria mund të kishte qenë shumë më proaktive, jo në ndërhyrjet e drejtpërdrejta të asaj çfarë po ndërmerrte Kosova, por me grupe konsultimesh, me përfshierjen e juristëve shumë të mirë të brendshëm dhe të jashtëm ndërkombëtarë. Të mos harrojmë edhe një gjë, që një pjesë të veprave penale të supozuara përfshijnë një pjesë e territorit të veriut të Shqipërisë. Pra Shqipëria nuk mund të jetë komplet e përjashtuar apo indiferente nga kjo që ka ndodhur. Por mund të ishte ndihmuese. Mund të ishte ndihmuese në një mënyrë më… nga pikëpamja juridiko-ligjore dua të them të kësaj, të konsultimeve, të ngritjes së një zëri më shumë”, ka thënë ajo.
Pasi ka përmendur paraprakisht gjykatat ndërkombëtare, kur ka përmendur Specialen ka thënë se “rrallë herë kemi një gjykatë të këtij lloji”.
“Gjykatat Ndërkombëtare ad hoc ose hibride kryesisht janë krijuar ose me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara siç ka qenë rasti i Tribunalit për ish-Jugosllavinë, apo Tribunalit për Ruandën, ose me një marrëveshje midis Kombeve të Bashkuara dhe shtetit përkatës ku kanë ndodhur këto krime, siç është rasti, për shembull i Kamboxhias, ku një gjykatë 35 vjet mbrapa nga krimet e “kmerit” të kuq nës emund të dihet për publikun ose për shembull gjykata, tribunali special për Libanin. Gjykatat rrallë herë, pra qoftë gjykata hibride, apo gjykatat të ndërkombtarizuara, po rrallë herë kemi një gjykatë të një lloji si kjo e ngritur ose e krijuar në Kosovë. Dhe këtu, pa diskutim që, jo vetëm unë, por shumë studiues dhe praktikantë në këtë fushë fillimisht kanë shprehur një skepticizëm shumë të madh për mënyrën se si po krijohej kjo gjykatë. Gjithashtu për aplikimin e ligjit, midis të drejtës zakonore penale, procedurale penale dhe ligjit të Kosovës”, ka thënë ajo.
Jasini ka thënë se “hapësira shumë e madhe” që po u jepet gjyqtarëve të kësaj gjykate, do t’i sjell pasoja “jo vetëm Kosovës”.
“Pra, kjo hapërsirë shumë e madhe që po u jepej këtyre gjyqtarëve – ata po veprojnë tërësisht me bazë të ligjit që u është vënë përpara – mendoj se do të ketë pasoja jo vetëm për Kosovën, por do të ketë pasoja dhe do të jetë një precedent jo shumë i mirë për të drejtën ndërkombëtare penale, por të shikojmë gjithë spektrin e të drejtës penale ndërkombëtare. Ky institucion po zhvillon aktivitetin e tij në një proces prej disa vitesh. Unë nuk mund të flas në detaje mbi çështjet, por mund të them se e shoh të vështirë sesi shtete sovrane në të ardhmen mund të krijojnë institucione apo t’i vendosin shtetasit e tyre në një strukturë apo në një juridiksion të këtij lloji. Mbetet për t’u parë jurisprudenca që kjo gjykatë do të fillojë”, ka thënë ajo.