Ekspertja rumune paralajmëron padi ndaj kryeministrit Haradinaj
Krim e veprim mafioz e ka quajtur vendimin për mos akreditimin e Universiteteve publike, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke hedhur dyshime në qëllimin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, eksperta rumune Anca Prisacariu paralajmëroi padi ndaj tij.
Ai ka hedhur dyshime për qëllimin e vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, duke thënë se mund të jetë marrë në favor të universiteteve private, raporton “KTV”-ja.
Por, sipas vendimit të AKA’së, edhe 4 kolegje private nuk e kanë kaluar procesin e akreditimit për këtë vit.
Në mesin e tyre është edhe ai “Iliria”. Nga ky kolegj thonë se mos-akreditimi është bërë qëllimshëm dhe jo për mosplotësim të kushteve. Më tutje, zyrtarë nga ky kolegj pretendojnë se vlerësuesja për akreditim institucional, Anca Prisacariu nuk i ka plotësuar kushtet për të pasur pozitën që ka. Po ashtu, njoftojnë nga kolegji që këtë çështje do ta procedojnë edhe tek organet e rendit.
Mirëpo, Anca Prisacariu në një përgjigje për “Kohavisionin” ka thënë që ajo është e aftë për të qenë eksperte për akreditim. Ajo ndër të tjera e ka në plan që të ngrejë edhe padi për shpifje.
“Nëse dikush do të më pyeste në çdo pikë, do t’i ofroja CV-në time vetë, ku tregon se i plotësoj kushtet për ekspert, siç tregohet edhe në Instruksionet Administrative. Kushdo që e sheh CV-në time, do të pajtohej se ‘e paaftë’ nuk është një fjalë që përdoret për të më përshkruar mua. Në këtë drejtim, jam e vetëdijshme se shpifja është vepër civile e dënueshme në Kosovë”, ka thënë ajo për “KTV”-në.
Prisacariu ka shtuar se ata vetëm kanë bërë raport me rekomandime për Bordin e AKA’së ku ata pastaj kanë analizuar atë dhe kanë vendosur, kurse çështja e akreditimin është bërë nga vetë Agjencia Kosovare e Akreditimit.
Sipas saj, universitetet që nuk e kanë kaluar akreditimin, do të duhej ta shfrytëzojnë këtë vit që të rrisin cilësinë, e që pastaj duhet të aplikojnë për këtë proces përsëri brenda një viti.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë që vepron në Kuadër të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka marrë vendim që Universiteti i Pejës, ai i Prizrenit dhe Mitrovicës të mos pranojnë studentë për vitin akademik 2019/2020.
Në këtë vendim të KShC’së përfshihen edhe katër kolegje private, Kolegji “Fama”, “Iliria”, Kolegji “Tempulli” dhe “Kosovo Art Academy”.