Eksportet shqiptare rriten më 6.2 për qind gjatë muajit korrik

17 gusht 2020 | 13:37

Ekonomia shqiptare duket se po jep shenjat e para të rimëkëmbjes pas goditjes nga pandemia COVID-19.

Siç bën të ditur Instituti i Statistikave, eksportet shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare shënuan një rritje prej 6.2 për qind gjatë muajit korrik, krahasuar me muajin qershor.

Sipas raportit mbi tregtinë e jashtme të publikuar, në këtë muaj eksportet e mallrave arritën vlerën e 25 miliardë lekëve.

Referuar të dhënave, eksportet ishin 11.6 për qind më të ulëta, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por ato ishin 6.2 për qind më të larta në krahasim me qershorin e këtij viti.

Edhe importet e mallrave shënuan rritje gjatë korrikut me 8.3 për qind krahasuar me qershorin. Ato arritën vlerën e 56 miliardë lekëve. Importet gjatë korrikut ishin 5.6 për qind më të ulët, në krahasim me një vit më parë.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 miliardë lekë, duke u ulur me 0.3 për qind, krahasuar me korrikun e 2019 dhe duke u rritur me 9.9 për qind, në krahasim me qershorin e këtij viti. /ATSH

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Avdullah Hoti, ka njoftuar se konkursi i Forcës së…