Eksporti bie, importi rritet: Deficiti tregtar thellohet me mbi 54 milionë euro

24 mars 2025 | 22:02

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të fundit mbi tregtinë e jashtme për muajin shkurt 2025, të cilat tregojnë për një rritje të deficitit tregtar me 13,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deficiti ka arritur vlerën prej 451,4 milionë eurosh, krahasuar me 397,4 milionë euro në shkurt 2024, ndërsa raporti i mbulimit të importit nga eksporti është vetëm 13,0%.

“Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 13,6% në muajin shkurt 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 451,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 397,4 milion Euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 13,0%. Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2025 kishte vlerën 67,3 milion Euro, ndërsa importi 518,6 milion Euro, që është një rënie prej (-4,3%) për eksport, si dhe një rritje prej 10,9% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, thuhet në njoftim.

Në sektorin e eksporteve, metalet bazë dhe produktet e tyre mbajnë pjesën më të madhe me 26,1%, të ndjekura nga plastika dhe goma me 15,1%, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 10,8%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 10,6%, si dhe tekstili me 6,2%.

Nga ana tjetër, importet dominohen nga produktet minerale me 16,8%, mjetet e transportit me 11,3%, ushqimet e përgatitura dhe pijet me 11,3%, makineritë dhe pajisjet elektrike me 10,6%, dhe metalet bazë me 9,7%.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 26,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 15,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 10,8% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 10,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 16,8% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 11,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,6% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj”, thuhet më tej në njoftim

Eksportet drejt vendeve të Bashkimit Evropian kanë arritur në 24,5 milionë euro, duke përbërë 36,5% të totalit dhe duke shënuar një rritje prej 12,1%.

Partnerët kryesorë janë Gjermania (12,7%), Holanda (3,6%) dhe Italia (3,5%). Importet nga BE-ja përbëjnë 44,2% të totalit, me një rritje prej 5,4%, ku dominon Gjermania me 14,6%, Italia me 6,4% dhe Greqia me 3,3%.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 24,5 milion Euro, ose rreth 36,5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,1%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,7%), Holanda (3,6%), Italia (3,5), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 229,1 milion Euro, ose 44,2% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5,4%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (6,4%), Greqia (3,3%), etj”, thuhet më tej në njoftim.

Në tregtinë me vendet e CEFTA-s, eksportet kanë arritur në 28,9 milionë euro (43,0% e totalit), me një rritje të lehtë prej 1,2%. Partnerët kryesorë janë Shqipëria (15,6%), Maqedonia e Veriut (15,0%) dhe Serbia (5,7%). Importet nga ky bllok janë rritur me 9,0%, duke arritur 83,4 milionë euro, ku vendet kryesore janë Maqedonia e Veriut (7,0%), Shqipëria (5,2%) dhe Serbia (2,8%).

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28,9 milion Euro, ose 43,0% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 1,2%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (15,6%), Maqedonia e Veriut (15,0%), Serbia (5,7%), Mali i Zi (5,2%).

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 83,4 milion Euro, ose 16,1% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 9,0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (7,0%), Shqipëria (5,2%), Serbia (2,8%)”.

Në tregtinë me vendet e tjera të botës, eksportet kanë arritur në 13,8 milionë euro (20,5%), me Zvicrën (10,5%) dhe SHBA-në (2,5%) si partnerët kryesorë. Ndërsa importet nga këto vende kanë arritur në 206,1 milionë euro (39,8%), me dominimin e Turqisë (13,5%) dhe Kinës (9,9%).

“Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 13,8 milion Euro, ose 20,5%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (10,5%) dhe SHBA (2,5%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 206,1 milion Euro, ose 39,8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (13,5%) dhe Kina (9,9%)”, përfundon njoftimi i ASK-së./dukagjini.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zelensky flet hapur për mosmarrëveshjen me Trump dhe Zyrën Ovale.…