Ekuadori goditet nga një tërmet i fuqishëm
Një tërmet shumë i fuqishëm prej 7.5 shkallë të Rihterit ka goditur Ekuadorin jugor në orët e hershme të së premtes. Termeti është regjistruar pranë kufirit me Perun. Nuk ka raportime të menjëhershme për viktima të mundshme.
Tërmeti është ndje në kryeqytetin ekuadorian, Quito, dhe në qytetin bregdetar të Guayaquil.
Instituti zyrtar i Gjeofizikës i Perusë ka thënë se ka regjistruar dy tronditje tjera me magnitudë 6 dhe 6.6 shkallë gjysmë ore pas termetit të parë.
Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, ka shkruar në llogarinë e vet zyrtare të “Twitter” se “raportet paraprake nuk tregojnë për dëme të mëdha”.
Një tërmet me magnitudë 7.8 shkallë të Rihterit, që ka tronditur një zonë qendrore të bregut të Ekuadorit më 16 prill 2016, vrau më shumë se 700 vetë, duke shkatërruar qindra ndërtesa si dhe duke i shkaktuar vendit humbje në më shumë se 3 miliardë dollarë.