“El Clasico”, shansi i fundit i Realit në garën për titull
2017-ta rezervon një finale që mbart në vetvete një verdikt për Realin e Madridit. Në prag të ndeshjes që gjithmonë rezervon elektricitet siç është rasti i “El Clasicos”, triumfi do të përkthehej në mundësinë më të mirë për “Los Blancos”-in, duke u ridhënë jetë shanseve të tyre në garën për titull në La Liga, një trofe që i nevojitet me domosdoshmëri madrilenëve bashkë me Kupën e Mbretit, Ligën e Kampionëve që, duke i shtuar edhe sukseset në Superkupën e Evropës, atë të Spanjës dhe Botërorit të klubeve, do të bënte ta mundur arritjen e numrit magjik të gjashtë trofeve mitikë.
Ndaj në rast të një disfate në “Bernabeu”, në duelin e titanëve që parashikohet sërish me Barcelonën, ëndrra e Zinedine Zidanes dhe mbretërorëve të tij do të zhbëhej si një flluskë sapuni.
Edhe për Cristiano Ronaldon kjo është një sfidë decizive, raporton “Supersport”. Do të ishte shumë bukur nëse do të fitonim “El Clasicon” shprehet ai, gjithsesi asgjë nuk mund t’i zbehë sukseset e klubit mbretëror.
Për madrilenët rezultati i këtij dueli do të ishte përgjigjja më e mirë për vazhdimësinë e sezonit, të cilin, në rast disfate, do ta mbyllnin pas gjashtë ditësh e, në rast triumfi, pas pesë muajsh. Gjithsesi, dëshira për të bërë mirë e për t’u rikthyer më të fortë ka lindur sërish në kampin “merengues” pas suksesit të fundit në Botërorin e Klubeve.
“Los Blancos” është i vetëdijshëm për situatën në La Liga, ndaj do të luajë çdo gjë për këtë klasike dhe tri pikët që rezervon, e duke marrë parasysh ritmin e qëndrueshëm që Barcelona po jep, duke iu mbyllur hapësirat rivalëve për t’u afruar me ta, duket se rruga e suksesit për Realin e Madridit kalon nëpër korridorin Barcelonë.