El Salvador – shteti i parë që e pranon Bitcoinin si monedhë të ligjshme, 70 për qind e qytetarëve kundër vendimit
El Salvador ka blerë 200 Bitcoin në vlerë prej 21 milionë dollarësh, një ditë para se të miratonte zyrtarisht këtë kriptovalutë si monedhë të ligjshme.
Presidenti Nayib Bukele ka treguar se vendi kishte blerë një total prej 400 Bitcoin, hapi i parë në një shtytje më të madhe për të shtuar monedhën dixhitale në bilancin e saj.
“Agjentët tanë do të blejnë shumë më tepër kur afrohet afati”, ka njoftuar Bukele.
Çmimi i Bitcoin u rrit pas njoftimeve të tij në Twitter, ku aktualisht po tregtohet me mbi 51 mijë dollarë.
Shkrimet e tij erdhën disa orë para se Ligji i El Salvadorit për Bitcoin, i cili u miratua në qershor, hyri në fuqi këtë javë.
Pra, El Salvador është vendi i parë që pranoi Bitcoin si monedhë të ligjshme, e cila do të funksionojë së bashku me dollarin amerikan.
Mirëpo, politika ka tërhequr kritika në të gjithë vendin. Gati 70 për qind e qytetarëve të anketuar nga Universiteti i Amerikës Qendrore nuk janë në pajtim me vendimin e administratës për të miratuar këtë kriptovalutë si mjet për transaksion.
Qeveria e Salvadorit shpreson se do të rrisë përfshirjen financiare në një vend ku rreth 70 për qind e qytetarëve nuk kanë qasje në shërbimet tradicionale financiare.
Ligji lejon që çmimet të shfaqen në Bitcoin, kontributet tatimore të paguhen me këtë kriptovalutë dhe shkëmbimet në bitcoin nuk do t’i nënshtrohen tatimit mbi fitimet kapitale. /ScanTV