Elba Kokaj dhe Klea Vrella përgatiten për “Sarajeva 2019”
Skitaret e ekipit Olimpik të Kosovës, Elba Kokaj dhe Klea Vrella, po përgatiten në qendrën skitare në Brod të Dragashit, para pjesëmarrjes në Festivalin Olimpik Evropian Dimëror (EYOF) që mbahet prej 9-16 shkurt 2019 në Sarajevë dhe Sarajevën Lindore të Bosnjë e Hercegovinës.
Kokaj (17-vjeçare) dhe Vrella (16) do të garojnë në disiplinat sllallom dhe sllallom i madh. Përgatitjet skitareve u janë mundësuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, sikurse përgatitjet jashtë vendit të mbajtura javë më parë në Erzurum të Turqisë.
“Jemi të vendosur në Brod prej dy ditësh dhe do të qëndrojmë edhe disa ditë. Kushtet janë të mira dhe përgatitjet janë të mirëseardhura për përfaqësim sa më të mirë në EYOF”, deklaroi trajneri Feim Kollçaku për “noc-kosovo.org”. Me skitaret në Brod ndodhet edhe trajneri tjetër Egzon Agani. Kosova është në mesin e 48 shteteve të Evropës që do të marrë pjesë në EYOF Sarajeva & Sarajeva Lindore 2019. Për herë të parë në EYOF-in dimëror, KOK-u u paraqit në “Erzurum 2017”.