Elbasan Dervishaj deponon kallëzim penal kundër ministres Haxhiu dhe zv/ministrit Sallahu
Udhëheqësi i një departamenti në Ministrinë e Drejtësisë, Elbasan Dervishi ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe zëvendësit të saj, Blerim Sallahut.
Denoncimi ndaj dy udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë është konfirmuar të hënën nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Ajo ka thënë për Paparacin se kallëzimi penal është duke u trajtuar nga Prokuroria e Prishtinës. Zëdhënësja e Prokurorisë nuk ka dhënë detaje të tjera rreth procesit të hetimeve.
“Mund t’ju konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar kallëzimin penal lidhur me çështjen për të cilën keni shprehur interesim dhe është duke e trajtuar”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë.
Udhëheqësi i Departamentit për Profesione të Lira në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Elbasan Dervishaj pas betejës së fituar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) për një vërejtje anti-ligjore të shqiptuar nga MD-ja, tani i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë po për të njëjtën çështje.
Sipas vendimit të KPMShCK-së, të cilin e posedon Paparaci, rasti ka të bëjë me një vërejtje që i është shqiptuar Dervishajt nga zv/sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri. Ajo ishte bazuar veç në një auditim të veçantë e të brendshëm.
Masa disiplinore ndaj Derivshajt u mor më 13 qershor, kurse KPMShCK-ja e shfuqizoi atë përmes vendimit të shpallur më 11 gusht.
Sipas KPMShCK-së, zv/ministri Blerim Sallahu ka kërkuar përmes email-it zyrtar nga Imer Shevelli, auditor i Brendshëm, që ta bëjë auditimin e vijueshmërisë në punë për tre muajt e fundit ndaj Dervishajt. Kërkesa e Sallahut ndodhi më 31 maj.
Ndërkohë, Shevelli, të nesërmen ia dorëzoi raportin me shkrim Sallahut duke thënë se Derivshaj gjatë periudhë 1 mars – 31 maj, e ka përdorur sistemin e vijueshmërisë në punë dhe se ka qenë dy herë në pushim vjetor. Bile, në këto dy raste i njëjti e ka njoftuar se zyrtaren e personelit dhe udhëheqësin e tij. Kurse, në dy rastet e tjera thuhet se nuk është evidentuar gjatë hyrjes në punë.
Këtë auditim të veçantë veç ndaj Dervishajt, KPMShCK-ja e ka vlerësuar se ka elemente të diskriminimit, pasi janë kërkuar dhe ndërmarrë veprime audituese lidhur me vijueshmërinë në punë vetëm për një zyrtar publik, pa ndonjë arsyetim paraprak apo të bazuar.
Rrjedhimisht, kërkesa e Sallahut për auditim ndaj Dervishajt, jo që ka tejkaluar kompetencat e tij, por e ka vendosur këtë të fundit në një pozitë më pak të favorshme sesa nëpunësit e tjerë civilë, për çka është edhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Përveç se ky raport ndaj vëllait të tre dëshmorëve të Istogut, përmban të meta ligjore, edhe masa disiplinore e shqiptuar ndaj tij është e paligjshme.
Pasi e fitoi betejën e brendshme me funksionarët e ministrisë së Drejtësisë, atij iu kumtua lajmi se do të dërgohet në Komisionin Disiplinor. Arsyeja; një postim në Facebook që nuk iu pëlqeu udhëheqësve të MD-së.
Dervishaj, më 17 gusht me anë të një statusi në Facebook njoftoi se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka aprovuar kërkesën e tij.
“Pushteti i VV-së provoi të më diskreditoj, diskriminoj, provoi ta ndyj figurën time, ndërsa mori atë që e meritonte, mori përgjigjen nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, po ashtu ka marr përgjigje edhe nga organet tjera të drejtësisë. Ju mund të vazhdoni të më luftoni, por nuk jeni luftëtarë të denjë, sepse keni një histori familjare të PËRLYER”, kishte shkruar ai, teksa në këtë shkrim pati disa kritika ndaj pushtetit.
Megjithatë, një shkrim i tillë ka bërë që tash Dervishaj të ketë punë edhe me këtë komision, i cili sipas burimeve të Paparacit, pritet ta ftojë gjatë javës tjetër në seancën disiplinore.