Elberi, Ozilit: Nuk kam pasur probleme me racizëm
Ish-sulmuesi i Bayern Munchenit, Giovane Elber, ka insistuar se ai kurrë nuk është përballur me racizëm në Gjermani, pas pensionimit të Mesut Ozilit nga ekipi kombëtar i Gjermanisë.
Ozili pohoi në deklaratën e tij të pensionimit nga kombëtarja se do ta bënte një gjë të tillë për shkak të racizmit dhe mungesës së respektit pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës qysh në fazën grupore. Mesfushori i Arsenalit po ashtu theksoi se mënyra se si Federata e Futbollit e Gjermanisë (DFB) e kishte trajtuar atë, kishe bërë që ai të mos e ndiente më dëshirën për ta veshur fanellën e ekipit kombëtar. Duke e akuzuar presidentin e DFB-së për racizëm, Ozil kishte deklaruar: “Unë jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbim”.
Elber insiston se ai vetë kurrë nuk ka qenë subjekt i një trajtimi të tillë, kur luante në Gjermani, në nëntë sezonet që e përfaqësoi Bayern Munichun. I pyetur nga “Goal” nëse ishte përballur ndonjëherë me racizëm në Bundesligë, Elber u përgjigj: “Jo, në Gjermani jo, fatmirësisht. Nuk kam pasur probleme me racizëm. Jo unë, jo familja dhe fëmijët e mi. Gjithçka ka shkuar shumë mirë, dhe të gjithë më respektonin në të njëjtën mënyrë, pavarësisht se kush ishte, gjithmonë me respekt. Në rastin e Ozilit mendoj se ishte diçka që u bë pa menduar shumë”.