Elektorati i LDK-së tregoi kush nuk duhet ta drejtojë partinë
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, ka thënë se kësaj partie i duhet një lider bashkues, i cili gëzon besimin e të gjitha gjeneratave. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se më 14 shkurt elektorati i LDK-së ka dhënë mesazhin se çfarë lideri i duhet kësaj partie. Sipas Rexhepit, kryetari i ri duhet të zgjedhet në mënyrë demokratike në Kuvendin Zgjedhor. Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve për LDK-në ishte debakël politik. Ai ka numëruar arsyet që kanë sjellë këtë rezultat të dobët.
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi, ka treguar për hapat që duhet t’i ndërmarrë kjo parti për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Ai ka deklaruar se udhëheqja e partisë duhet ta lexojë mirë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Rexhepi ka deklaruar se LDK-së i duhet një lider bashkues. “LDK-së i duhet lider me performancë të pastër politike, figurë unifikuese dhe që gëzon besim te të gjitha gjeneratat, si dhe të zgjedhet në mënyrë demokratike në Kuvendin Zgjedhor”, ka thënë Rexhepi.
Ai ka deklaruar se më 14 shkurt elektorati i LDK-së ka dhënë mesazh të qartë për lidershipin e partisë. “Mesazhi i dhënë nga elektorati i LDK-së më 14 shkurt tregon më së miri se kush nuk duhet ta drejtojë partinë. Ai është mesazh për të gjithë ata që e kanë sjellë LDK-në para falimentimit politik, lideri dhe drejtuesit aktualë, sepse LDK-ja do ta kishte fatin e HDZ-së kroate”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka thënë se rezultati i zgjedhjeve për LDK-në ishte debakël politik. Ai ka numëruar arsyet që e kanë sjell atë. “Po, ky është një rezultat katastrofal dhe debakël i plotë politik për lidershipin e LDK-së, për politikat, gabimet dhe mashtrimet e mëdha ndaj elektoratit si: koalicionet me PAN-in, rrezikimi me marrëveshjen për ‘Autonominë’ e serbëve duke e cenuar rendin kushtetues të vendit, me mosliberalizimin e vizave si dhe me rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie në kundërshtim me vullnetin e elektoratit”, ka thënë ai.
Rexhepi ka bërë me dije se deputetët e LDK-së duhet ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente. “Po. Sepse ky ishte edhe vullneti, besimi dhe mesazhi i qytetarëve të Kosovës më 14 shkurt. Por, është edhe si obligim kushtetues dhe përfaqësues për ndërtimin dhe forcimin e stabilitetit politik të institucioneve shtetërore të Republikës se Kosovës”, është shprehur Rexhepi.
“Epoka e re”: Z. Rexhepi, cili është vlerësimi juaj për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit?
Rexhepi: Vlerësimi im shkon për qytetarët dhe organizimin e zgjedhjeve në një nga ditët me të vështira të këtij dimri. Zgjedhje demokratike, nga më të mirat në gjithë regjionin, duke dërguar mesazh pozitiv dhe afirmim të vlerave qytetare për të gjitha vendet e tjera demokratike. Rezultati është shprehje e vullnetit të votuesve për ndryshimin e filluar nga zgjedhjet e vitit 2019, për profil tjetër politik dhe shtetëror, për më shumë demokraci dhe shtet ligjor, për më shumë zhvillim dhe arsimim për organizim dhe përfaqësim më të mirë në diplomaci si dhe procese të tjera dialoguese dhe integruese.
“Epoka e re”: Në këto zgjedhje, LDK-ja ka dalë me një rezultat shumë të ulët, prej 13-përqindësh. Çfarë mendoni se ka ndikuar në këtë rënie të LDK-së?
Rexhepi: Po, ky është një rezultat katastrofal dhe debakël i plotë politik për lidershipin e LDK-së, për politikat, gabimet dhe mashtrimet e mëdha ndaj elektoratit si: koalicionet me PAN-in, rrezikimi me marrëveshjen për ‘Autonominë’ e serbëve duke e cenuar rendin kushtetues të vendit, me mosliberalizimin e vizave si dhe me rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie në kundërshtim me vullnetin e elektoratit.
“Epoka e re”: Si reflektim ndaj rezultatit zgjedhor, kryetari i kësaj partie ka ofruar dorëheqje. Si e keni parë këtë veprim të tij?
Rexhepi: Jo, si duket dhe, si zakonisht, i kanë rënë pishman si lideri ashtu edhe kryesia. Tani kjo është tepër e vonuar, ‘post festum’! Por, unë, duke i parë zhvillimet e pritshme politike vitin e kaluar dhe në interes të LDK-së, e që të mos vijë në këtë situatë, publikisht pata kërkuar që në zgjedhjet e reja LDK-ja të mos hyjë me lidershipin aktual. Pra, që 23 dhjetori LDK-në ta gjente me kryetar dhe kryesi të re dhe të ecim në hapa me kohën dhe në pajtim me vullnetin e elektoratit. Por, për fat të keq, në alternativën time mbeta zë i vetmuar.
“Epoka e re”: Si duhet të veprojë tani kjo parti.? Kush duhet të jetë kryetar i ri i kësaj partie?
Rexhepi: Mesazhi i dhënë nga elektorati i LDK-së më 14 shkurt, tregon më së miri se kush nuk duhet të drejtojë partinë. Ai është mesazh për të gjithë ata që e kanë sjellë LDK-në para falimentimit politik, lideri si dhe drejtuesit aktualë, sepse LDK-ja do ta kishte fatin e HDZ-së kroate. LDK-së i duhet lider me performancë të pastër politike, figurë bashkuese dhe që gëzon besim te të gjitha gjeneratat si dhe të zgjedhet në mënyrë demokratike në Kuvendin Zgjedhor.
“Epoka e re”: Ka zëra që thonë se znj. Vjosa Osmani duhet të kthehet në parti për ta udhëhequr. E shihni të mundshme një gjë të tillë?
Rexhepi: Jo.
“Epoka e re”: Nëse Vjosa Osmani vazhdon rrugën e saj drejt Presidencës, a duhet LDK-ja ta votojë për presidente të vendit?
Rexhepi: Po. Sepse ky ishte edhe vullneti, besimi dhe mesazhi i qytetarëve të Kosovës më 14 shkurt. Por, është edhe si obligim kushtetues dhe përfaqësues për ndërtimin dhe forcimin e stabilitetit politik të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës.
/Muhamet KOCI/