
Elektrosever: Rritja e çmimit të rrymës nuk vlen për komunat veriore
Kompania “Elektrosever” ka thënë për mediumin “KoSSev”se rritja e çmimit të energjisë elektrike prej 16,1 % nuk vlen për katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.
Madje nga kjo kompani kanë thënë se as nuk planifikojnë shtrenjtim të çmimit të rrymës.
“Informacioni se çmimet e energjisë elektrike në Kosovë po rriten me 16.1 përqind nuk vlen për katër komunat veriore, pra për konsumatorët që ne furnizojmë me energji elektrike”, kanë thënë nga Elektrosever për KoSsev.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ditë më parë ka vendosur për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 16,1%. Ky vendim është përcjellë me reagime e kritika të shumta, derisa janë organizuar edhe protesta. Ndërkohë efektet e para të rritjes së çmimit të rrymës kanë nisur të vërehen me shtrentjim të çmimeve nëpër kafiteri dhe furra të bukës.