
Elena Kadare nderohet nga kryeministri me “Hartën e Artë të Kosovës”
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim shkrimtaren e njohur Elena Kadare.
Haradinaj në këtë takim ia ka dhuruar Elena Kadaresë “Hartën e Artë të Kosovës”, si mirënjohje për krijimtarinë e saj letrare, ruajtjen e vlerave tona dhe përhapjen e tyre në botë.
“Shqiptarët janë me fat që kanë Elena dhe Ismail Kadarenë! Bashkëshortët Kadare ishin zëri ynë kudo në botë. Ata u ndihmuan popujve tjerë që t’i njihnin shqiptarët dhe të drejtën e tyre. Shquhen për ndjenjën e jashtëzakonshme për Kosovën dhe këtë e manifestuan kurdoherë me dashuri të madhe. Elena Kadare na ka dhuruar rrëfimet më origjinale, për botën, për shqiptarët dhe për vetën e saj. Me një ndjenjë të veçantë, pata nderin t’ia dhuroj Elenës “Hartën e Artë të Kosovës”, si mirënjohje për krijimtarinë e saj letrare, ruajtjen e vlerave tona dhe përhapjen e tyre në botë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/